
“Hey mam, sot është Dita Ndërkombëtare e Mamit. Ti me siguri nuk e di, sepse ne shqiptarët jemi mësuar që 8 Marsin ta kemi edhe Festën e Nënës. Por ç’rëndësi ka kjo në fund të fundit; as unë nuk e dija, sot e mësova dhe ndjeva dëshirën të shkruaj për ty, pasi nuk kam mundësinë të të përqafoj.
Pak ditë më parë festova ditëlindjen. Ti nuk ishe. E kujtoj dhe qaj sa herë mendoj telefonatën tënde në orën 06:30 të mëngjesit – gjithmonë në atë orar mam, si nuk harrove kurrë – sepse atëherë kam lindur unë. Përherë kështu ke bërë, edhe pse babi më zgjonte në mesnatë për të më uruar ditëlindjen, ti flije. Ose bëje sikur flije. Këtë herë ishte ndryshe. Më telefonove dhe fole shkurt. Fjalë të ngrohta, por shkurt.
I ndjeja lotët e tu përtej ekranit mam. E kuptova që nuk ishte e lehtë të mos më sillje tortën. Të mos më përqafoje si gjithmonë. Të mos më filmoje teksa hapja dhuratën e përvitshme: Një libër. Ti e di çfarë dua, nuk ma vështirëson kurrë.
Momentalisht ju jeni 2 orë larg nga kryeqyteti dhe unë s’ju takoj dot. Për shkak të punës, kam dalë disa herë nga shtëpia dhe nuk e di sa e rrezikshme jam për ju. Po sikur të jem e prekur. Po sikur të mos kem simptoma? Po sikur t’ju infektoj? Jeni të shëndetshëm, gjithmonë keni qenë, por mosha nuk është në favorin tuaj. Ndaj më duhet të qëndroj e vetme, larg jush.
Sot, në Ditën e Mamit, ndjeva dëshirën të të shkruaj. Sigurisht që ti nuk do ta lexosh kurrë këtë, sepse e di që do të qash pafund. Do të heqësh syzet dhe do të fshish lotët, siç bën gjithnjë kur të dhurojmë lule dhe lexon një pusullë të thjeshtë. Ti e di që nuk t’i shoh dot lotët, aq më tepër në ditë karantine si këto, kur nuk mund të të përqafoj dhe të them “të lutem pusho, edhe nga kaq pakogjë prekesh?”.
Do të doja të shkruaja pafund këshilla se ç’mund të bëni me mamin ju që e keni afër ose që ju sheh nga atje lart, por jo nuk do e bëj. Pavarësisht çdo gjëje, të gjithë kemi një lidhje të veçantë me nënën. Sipas mënyrës sonë, nuk ka mirë ose keq. Të paktën unë kështu mendoj.
Në ditë karantine si këto, mua më ngelet vetëm të numëroj ditën derisa t’ju takoj. Deri atëherë, shoh çdo ditë për ndonjë librari hapur për të plotësuar kërkesën tënde ditën e ditëlindjes sime. “Të lutem, bli një libër nga unë,” më the. Patjetër mam.
P.S Të dua edhe ty babi, por s’është festa jote sot. Mos vidh vëmendje.” – shkruar nga një vajzë anonime për Revista Anabel, Facebook.