Feminism

Vjosa Osmani, gruaja e hekurt e politikës

Shkruar nga Anabel

26 Mars 2020

Vjosa Osmani, gruaja e hekurt e politikës

Vjosa Osmani, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, mbajti një fjalim të fuqishëm përpara votimit të mocionit për rrëzimin e qeverisë së Albin Kurtit dhe frymëzoi njerëzit, jo për faktin që vendosi të mbante në pushtet Kurtin, as për vendimin për t’i dalë kundër partisë së saj, Lidhjes Demokratike të Kosovës, por për vetë faktin që vendosi të mos shkelte asnjë prej parimeve dhe premtimeve të bëra ndaj elektoratit në zgjedhjet e 6 tetorit, ku Vjosa ishte kandidate për kryeministre të Kosovës.

Në një situatë aspak të qëndrueshme ekonomiko-sociale në një pandemi si kjo e koronavirusit, Vjosa dhe dy anëtarë të tjerë të LDK-së, parti me të cilën Albin Kurti bëri koalicion për qeverisjen, qenë të vetmit që dolën kundër.

Në një pjesë të fjalimit të saj, Vjosa u shpreh:

“Ky mocion është dorëzuar në kohën kur bota po vuan dhe Europa e ka bërë moto solidaritetin mes njerëzve. Sot, ne rrezikojmë ta humbin edhe atë fije solidariteti që e kemi gëzuar para pandemisë dhe kjo është e pashembullt. Ky është fjalimi që nuk do të doja ta mbaja, pasi në çastet në të cilin po flas, Kosova dhe mbarë bota është duke u përballur me një nga sfidat më të mëdha në historinë e njerëzimit.

 

Në këtë çast të trishtë, të cilin po e bëjmë më të trishtë me mosdurimin tonë politik, ëndrra për ta mbizotëruar tjetrin shndërrohet në betejë meskine për pushtet, edhe atëherë kur pushteti kërkon shërbëtorë, siç janë mantelbardhët tanë [doktorët], që luftojnë për secilën jetë. Kur ne përpiqemi të përmbushim egon tonë politike, mjekët po luftojnë për jetën e secilit njeri të prekur nga pandemia, por ne çfarë po bëjmë? Ne kemi vendosur t’i lëmë ata të pashpresë në betejën e tyre, duke e larguar qeverinë atëherë kur kanë më shumë nevojë.”

 Përpara se të kandidonte për postin e kryeministres së Kosovës (ndodhte për herë të parë që një grua të ishte kandidate) Vjosa nuk ishte një emër i panjohur në fushën e politikës. Pasi mbaroi studimet në Fakultetin e Drejtësisë në Kosovë, Vjosa Osmani, asokohe e shpallur si studentja më e mirë, vazhdoi studimet e nivelit Master në Universitetin e Pitsburg-ut në Amerikë, ku u vlerësua me “Sheth International Achievement Award”, çmim që jepet për kontributin e të rinjve në mbarë botën. Përveç profesionit të pedagoges, prej tre mandatesh, Osmani është deputete e LDK-së, ku në dy të fundit ishte deputetja më e votuar në Kosovë.

Fjalimi i saj dje në Kuvendin e Kosovës po komentohet shumë në Twitter, ku njerëzit vlerësojnë vendimin e saj për t’i shkruar deri në fund premtimeve në zgjedhjet e tetorit. Gjatë fushatës, Vjosa dhe partia e saj theksuan se nuk do të bënin koalicion me PAN (koalicion i përbërë nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate).

“[…] disa mendjeshkurtër më akuzojnë se po e tradhtoj LDK-në dhe kërkojnë largimin tim. Por nëse mbrojtja e çdo pike të programit të LDK-së, që e kemi prezantuar si kontratë me qytetarët, nëse mbrojtja e një qëndrimi refuzues ndaj çdo bashkëpunimi me krimin më bëka tradhtare, nëse mbajtja e secilës fjalë që unë ua kam dhënë votuesve të mi kur disa frikësoheshin të dilnin dhe të mateshin me ta, nëse kjo më bën tradhtare, atëherë me krenari do ta mbaj këtë vulë të tradhtisë,” tha ajo në një tjetër pjesë të fjalimit.

Njerëzit në Twitter e cilësojnë Vjosën si “gruan që po guxon të sfidojë burrat e LDK-së”, si shembullin e “humanizmit dhe krenarisë” dhe si “zërin më të arsyeshëm në Parlamentin e Kosovës”.

Fjalimin e plotë e ndiqni duke klikuar këtu.

Vjosa Osmani, gruaja e hekurt e politikës

Vjosa Osmani, gruaja e hekurt e politikës

Vjosa Osmani, gruaja e hekurt e politikës

Vjosa Osmani, gruaja e hekurt e politikës

Vjosa Osmani, gruaja e hekurt e politikës

Vjosa Osmani, gruaja e hekurt e politikës

Vjosa Osmani, gruaja e hekurt e politikës

Vjosa Osmani, gruaja e hekurt e politikës

Vjosa Osmani, gruaja e hekurt e politikës