Shqipëria

Ekipi shqiptar i mjekëve & infermierëve niset drejt Italisë!

Shkruar nga Anabel

28 Mars 2020

Ekipi shqiptar i mjekëve & infermierëve niset drejt Italisë!

Dhjetë mjekë dhe 20 infermierë shqiptarë janë nisur sot (28 mars) drejt Italisë, ku do të ndihmojnë kolegët e tyre në Bergamo në luftën kundër Covid-19.

Pak më parë, përmes një video-je të postuar në Facebook, kryeministri Rama shfaqej bashkë me grupin e mjekëve dhe Ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliun.

“E di që disave këtu në Shqipëri do i duket e çuditshme  që 30 mjekë e infermierë të armatës sonë të vogël  të bluzave të bardha, nisen sot për në vijën e zjarrit në Itali.

E di po ashtu se 30 mjekë e infermierë nuk e përmbysin raportin e forcës vrastare të armikut të padukshëm dhe forcave të bluzave të bardha që po luftojnë me të në vijën e zjarrit matanë detit.

Por di edhe që edhe andej është shtëpia jonë tanimë që kur Italia motrat e vëllezërit italianë na shpëtuan dhe na mikpritën e na adoptuan në shtëpitë e tyre kur Shqipëria digjej nga dhimbje të papërshkrueshme." -dëgjohet të thotë Rama.

Dërgimi i personelit shqiptar mjekësor në Itali erdhi si rezultat i bisedës së zhvilluar mes kryeministrit Rama dhe Ministrit të Jashtëm Luigi Di Maio.

Qëndrimi i ekipit shqiptar në vendin më të goditur nga virusi në Itali do të jetë një muaj dhe do të jetë qeveria shqiptare që do të paguajë për shërbimin dhe kontributin e tyre.