Duke filluar nga dita e nesërme (1 prill), mbi 60,000 persona të punësuar në subjektet e biznesit me të ardhura vjetore deri në 14 milionë lekë, do të përfitojnë pagën minimale bazuar në Paketën Ekonomike të shpallur nga qeveria për lehtësimin e pasojave të shkaktuara në Covid-19.
Ndihma financiare për të vetëpunësuarit/të punësuarit llogaritet të jepet sipas listëpagesave të deklaruara nga subjektet tatimpaguese dhe pagesa do të shkojë direkt në llogaritë e tyre bankare.
“Plotësoni me përgjegjësi të dhënat personale të punonjësve dhe llogaritë e tyre bankare. Çdo qytetar do të përfitojë pagën prej 26 mijë lekë çdo muaj në llogarinë e tyre bankare,” njoftoi ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj.
Bizneset duhet të paraqesin pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, nëpërmjet portalit e-Filing, kërkesën me të dhënat. Subjektet që do të plotësojnë kërkesën sipas formularit të miratuar dhe duhet të sigurohen që të plotësojnë të dhënat e sakta të individëve përfitues, ku numri personal i identifikimit ID dhe IBAN i llogarisë bankare janë të dhëna shumë e rëndësishme.
Për më shumë informacion, drejtohuni në faqen Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
Burimi: Agjencia Telegafike Shqiptare