Çfarë po ndodh rreth nesh

Kur do dalim nga karantina, sipas Pëllumb Piperos

Shkruar nga Anabel

31 Mars 2020

Kur do dalim nga karantina, sipas Pëllumb Piperos

Mjeku infeksionist Pëllumb Pipero, i ftuar në "Open" ju përgjigj një sërë pyetjesh të bëra nga qytetarët.  Pyetja më e përsëritur është ajo që bëjmë të gjithë: "Kur do të marrë fund izolimi?"

Edhe pse askush s'di të thotë me siguri një datë, nisur nga ecuria e përhapjes në vendin tonë, Pipero u shpreh:

"Unë besoj që java e tretë e prillit do ta gjejë të çliruar nga shumë hallka të izolimit Shqipërinë. Përjashtoj nga kjo pensionistët dhe të sëmurët kronike të cilët besoj se duhet të rrinë më gjatë. Java e tretë e prillit do të na gjejë me shumë hallka më të lira."

Përpos optimizmit dhe besimit se e gjithë kjo në vendin tonë do të mbarojë shpejt, mjeku bëri sërish thirrje qytetarëve që të vijojnë t'i ndjekin masat e marra nga qeveria me përpikmëri.

"Edhe sot, edhe nesër edhe pasnesër do t'ju thoja qytetarëve të qëndronin në shtëpi. Ka shumë vlerë të zvogëloni përditë numrat që kanë nevojë për ne (mjekët). Kjo është gjë shumë e mirë sepse e mbajmë kurbën e butë dhe nëse kurba është e butë 99% kjo gjë do të mbyllet brenda infektivit, pa kaluar tek hapësirat e reja. Për ne kjo është shumë optimiste.

Në Shqipëri asnjëherë nuk patëm shifra eksponenciale, si në vendet e tjera dhe kjo më bën optimist. Mendoj që kjo lidhet me masat që u morën në kohë nga qeveria dhe sigurisht e mjekëve, infermierëve që punojnë me përkushtim orar pa orar.."