Dy ditë më parë, në rrjetet sociale të Anabel Media, përkatësisht në Instagram dhe Facebook, u njoftua se do të realizohej një diskutim me Dr. Anila Sulstarovën për ankthin e shkaktuar nga situata e vetë-izolimit si pasojë e koronavirusit.
Anila Sulstarova është doktoreshë shkencash dhe pedagoge në departamentin e Pedagogjisë dhe Psikologjisë në Fakultetin e Shkencave Sociale që prej vitit 2005 dhe psikologe klinike me përvojë gati 20-vjeçare që trajton ankthin te fëmijët dhe të rriturit, fobitë e ndryshme tek fëmijët dhe adoleshentët, atakun e panikut, patologjitë e atashimit, trajtimin e personave me çregullime të personalitetit etj., si edhe realizon terapi në çift dhe familjare. Ndër të tjera, ajo ka qenë pjesë e ndërtimit të strategjive kombëtare në fushën e shërbimeve sociale dhe ka shërbyer si eksperte e jashtme në organizata ndërkombëtare si UNICEF, Save the Children, Terres des Homes, CRCA etj.
Ideja e realizimit të një bisede live në Instagram, në formën e një podcast-i, lindi pasi shumë njerëz shkruan në rrjetet sociale të Anabel.al në lidhje me problemet e ankthit dhe menaxhimit të situatës stresuese që vjen si pasojë e vetë-izolimit. “Shumë njerëz na kanë shkruar gjatë gjithë kohës se kemi shumë nevojë për ndihmë, kemi ankth, jemi keq, s’po e përballojmë dot karantinën, jam larg nga prindërit dhe kam merak, kemi nevojë për ndihmë etj. Ndaj mendova se çfarë të bënim live për t’u ardhur në ndihmë dhe ku ka më mirë se të bënim një terapi falas me psikologë të njohur,” u shpreh në @anabel_media themeluesja e Anabel Media dhe Via Anabel dhe producentja e Hostel by Anabel, Dalina Buzi, e cila moderoi bisedën.
View this post on Instagram
Në hyrje të bisedës, Dr. Anila Sulstarova theksoi se më problematike paraqitet situata te të rriturit, ndryshe nga fëmijët dhe adoleshentët, të cilët po e menaxhojnë më mirë.
“Para kësaj secili nga ne kishte axhendën e vetë, ditën e vet, takonte njerëzit dhe shkëputej nga realiteti i katër mureve të shtëpisë, ndërsa në këto momente jemi të ‘burgosur’ brenda mureve të shtëpisë. Për disa njerëz, kjo ka qenë një periudhë e artë, po kalojnë kohë me familjen. Nga feedback-u që kam marrë deri tani, fëmijët janë ata që po e menaxhojnë më mirë situatën.”
Përpara se të trajtonte disa raste konkrete – të mbledhura nga Anabel përmes komunikimit me ndjekësit – ajo u shpreh:
“Ajo që kam vënë re është që vërtet të rriturit janë ata që kanë më shumë stres në menaxhimin e kësaj situate, ndryshe nga fëmijët dhe adoleshentët, megjithëse këta të fundit janë në një moshë ku zhvillohen jashtë shtëpisë nga marrëdhëniet sociale, por përmes teknologjisë po e përballojnë më mirë. Nga eksperienca them që ka gjithmonë një situatë për t’u shijuar në shtëpi: është një njeri, është një gatim, është një buzëqeshje, është një punë, është zbulimi i librave të vjetër, i fotografive të vjetra që mund t’u japin kuptim ditës. Një nga arsyet pse njerëzit kanë stres lidhet me faktin që dita nuk ka kuptim. Në çdo moment të jetës mund të gjendet një kuptim, një qëllim. Jini pak më shumë prezentë në momentin që po jetoni. Shumë merren me të shkuarën, disa merren me të ardhmen. Karantinimi dhe tërmeti janë momente të cilat na thanë që nuk parashikojmë dot asgjë.”
Situatat më të shpeshta të mbërritura në inboxin e Anabel vijojnë si më poshtë:
Situata e parë: “Dua të di si mund të shtoj vetëbesimin sepse periudha e karantinimit më shton nivelin e stresit. Më ka rënë humori për të bërë gjëra të ndryshme. Mësimi online është një idiotësi. Dua të di çfarë mund të bëjmë ne që s’kemi dëshirë për të bërë asgjë.”
“Periudha ime me studentët online tregon që ka vështirësitë e veta, sepse mungon ndërveprimi njerëzor. Pedagogu nuk e sheh studentin, studenti nuk e sheh pedagogun dhe ne e dimë që një pjesë e informacionit merret nëpërmjet syve. Sigurisht që ka shumë të rinj që të shkuarin në shkollë e kishin rutinë që kishte një ritual – visheshin, rregulloheshin, pinin një kafe etj.Të bësh leksion pa këtë rutinën tënde, është e vështirë. Ne kemi Wi-Fi dhe kemi mundësi, por sigurisht që Wi-Fi nuk ka vetëm benefite. Çështja e vetëbesimit nuk lidhet vetëm me karantinën, humbja e besimit nuk lidhet me karantinën ndaj është e vështirë të thuash diçka në këtë rast, pasi për këto probleme do të këshilloja kontaktin me një profesionist, pasi është e pamundur ta trajtojmë në formën e një podcast-i si ky.”
Situata e dytë: “Si t’ja bëj që të mos ulëras kur më ka ardhur në majë të hundës, sidomos fëmijëve në shtëpi. Kur qetësohem e kuptoj që ata s’kanë faj.”
“Të rriturit janë ata që në këto momente nuk po dinë ta menaxhojnë stresin, ndryshe nga fëmijët. Është normale dhe njerëzore që të të dalë situata nga kontrolli, kur tenton të bësh shumë gjëra. Është normale që fëmijët të shohin prindërit e nervozuar, por është me rëndësi që të flitet për çfarë ndodhi dhe të kërkohet falje dhe të kërkohet nga të gjithë nëse mund të prodhojmë mënyra të reja të menaxhimit të zemërimit. Nëse një grua e karantinuar zemërohet dhe i del situata nga duart, është normale. Do ta këshilloja që ta trajtonte më pas çfarë ndodhi [...] Nuk ka njerëz që flasin me zë të qetë gjatë gjithë kohës. Zemërimi ka shumë arsye që ndodh – mund të jetë me fëmijët, me bashkëshortin – dhe është ok, por është me rëndësi që ta trajtojmë më vonë. Është shumë e rëndësishme që të bëhen ndarjet dhe t’u thuash fëmijëve që u tregove e padrejtë. Fëmijët duhet të dinë kur zemërimi ka qenë personale me ta dhe kur jo. Ata kanë tendencën t’i personalizojnë gjërat dhe t’i përjetojnë keq. E them sërish, është normale të zemërohesh dhe ta nxjerrësh zemërimin, por merrni pesë minuta larg familjes. Mbylluni diku dhe reflektoni sesi të ndërveproni në mënyrë të shëndetshme me situatën me të cilën po jetojnë.”
Situata e tretë: “Shtimi i ankthit dhe panikut.”
“Në gjykimin tim ankthi trajtohet shumë mirë nga psiko-terapistët dhe në raste ekstreme padyshim futet psikiatri. Ata që vuajnë nga ankthi në këto momente, sipas meje, thjesht duket sikur iu është shtuar, në fakt e kanë pasur edhe më herët, thjesht nuk e kanë vënë re. Nga praktika ime, ankthi i tyre gjeneron shumë më thellë se ky moment. Nga ana tjetër, njerëzit merren shumë me simptomat e ankthit. Simptoma të tilla si dridhje, marrje fryme, shtrëngim në zemër, djersitje etj., janë reagime normale pasi ata kanë përjetuar diçka. Kjo është normale, do të ishte anormale sikur të mos e përjetonim. Ankthi nuk është problemi. Pas ankthit ka një problem tjetër. Unë në eksperiencën time u them pacientëve që ‘lum ju që keni ankth, pasi trupi juaj është kaq inteligjent sa po ju jep një sinjal për t’ju thënë që ta ndihmoni, ta kuptoni dhe ta shëroni’. Është njësoj si të kesh temperaturë. Sigurisht që ankthi është shtuar pasi ndikon edhe izolimi dhe efekti që ka izolimi në jetën e tyre. Këtu theksoj sërish humbjen e kuptimit, prandaj përpiquni të gjeni mendimin, çfarë po përjetoni dhe po ndjeni. Ai mendimi është problemi. Njerëzit kapen vetëm me reagimet fiziologjike, por reagimet fiziologjike janë normale.”
Situata e katërt: “Kur gjithçka të kthehet në normalitet, a është e mundur që normaliteti të na duket i çuditshëm?”
“Do të përshtatemi. Nuk mendoj që do të ketë ndonjë ndryshim. Java e parë do të jetë pak ndryshe, mund të ndihemi më të lodhur, por ajo është normalja jonë. Rikthimit në normalitet do t’i përshtatemi mirë.”