Historia Ime

Një letër për të dashurën e tim shoqi: ‘Nuk të mbaj inat, je e re’

Shkruar nga Anabel

2 Prill 2020

Një letër për të dashurën e tim shoqi: ‘Nuk

Shpresoj mos të të habisë shumë kjo letër nga gruaja e të dashurit tënd. Është e qartë që unë nuk ekzistoj në botën tënde. Të paktën jo në kohën e tashme. Duhet ta kesh kuptuar që dikush solli në jetë djalin e tij. Me shumë mundësi, më mendon të vdekur.

Nuk kam vdekur. Jetojmë bashkë, të paktën tani për tani. Flemë ende në të njëjtin shtrat, sidoqoftë jo në atë kontekst, që kur e mora vesh për ty.

Po e ndihmoja me celularin e ri (s’mori vesh kurrë nga teknologjia) kur i erdhi një mesazh me emoji dhe puthje nga ti. Ngaqë kisha numrin tënd ishte e thjeshtë të gjeja rrjetet e tua sociale e më pas adresën tënde. Ti jeton me prindërit, disa kilometra larg zyrës së tij. S’ia kisha kontrolluar kurrë celularin më parë. S’kam pasur shkak. Akoma më duket gabim, fakti që futa hundët në bisedat tuaja.

Nuk të mbaj inat. Dukesh e re, e rritur mirë dhe s’ia ke idenë ç’avazi i je futur. Nuk i mbaj inat as atij. Është shumë i sëmurë.

Për vite me radhë i qëndrova pranë burrit tim të depresionuar teksa mohimi që ishte i sëmurë përkeqësonte çdo gjë, pasi nuk merrte trajtim.

Kam kaluar orë të tëra duke e dëgjuar të flasë kundër parimeve që ka pasur gjithë jetën, vetëm për të marrë suksesin dhe famën që mendon se meriton. E kam mbështetur kur i kanë dështuar bizneset, kur jemi shpërngulur e kur ka ndërruar punë. E kam lënë të na i kthejë jetët  përmbys, vetëm që të jetë i lumtur. M’u desh shumë kohë të kuptoja që s’mund ta bëj më këtë. As ti s’do të mundesh.

Që kur e mora vesh për ty, kam filluar t’i hedh karremë. I bëj pyetje të pafajshme dhe e dëgjoj teksa më gënjen. Më habit me sa lehtëi e bën. Miqtë e mi janë treguar të matur dhe s’ma kanë përplasur në fytyrë që ai më gënjeu që në fillim – për moshën, për ish gruan, për djalin e rritur. Për shërbimin në ushtri.

Ti mendon se ai është një baba beqar hero, që manovron kujdesin për të birin dhe karrierën e lodhshme. Ti mendon se ai është i pasur. Shpenzimet për darkat dhe hotelet tuaja i paguan me një kartë krediti sekrete. Ndërsa unë shita gjëra në eBay për të paguar shpenzimet e Krishtlindjeve.

A është i sëmurë? Apo është thjesht një mashtrues? Sidoqoftë, burri me të cilin u dashurova nuk ekziston më. Shpresoj që ta kuptosh më herët se unë. Shpresoj që gënjeshtrat mos të të thyejnë zemrën. Meriton të jesh më shumë sesa thjesht dashnorja. Shpresoj të gjesh princin tënd të kaltër.

Shkruar për The Guardian nga një grua anonime.