Shqipëria

Rama shpjegon si do të paguhen qiratë e prillit dhe majit

Shkruar nga Anabel

3 Prill 2020

Rama shpjegon si do të paguhen qiratë e prillit dhe majit

Dje, në Facebook, kryeministri Rama bëri me dije se “do të ndalohen pagesat e qirave nga ana e bizneseve të vogla dhe familjarëve të regjistruar në punë që kanë ndaluar punën për shkak të koronavirusit.” Nga kjo masë përfitojnë edhe studentët që jetojnë me qira. “Qiradhënësit do të ndalohen t’u kërkojnë pagesën mujore këtyre subjekteve ose do të penalizohen me gjobë sa pesëfishi i vlerës së qirasë përkatëse,” shkruajti Rama.

Po dje në mbrëmje, kryeministri sqaroi se qiraja e këtyre dy muajve, e pezulluar për kategori të caktuara, do të shlyhet në mënyrë proporcionale nga qiramarrësit pas 31 majit sipas një dakordësie mes qiramarrësit dhe qiradhënësit.

Pra nuk bëhet fjalë për një falje të qirasë së dy muajve, por për një ngrirje të pagesës. Qiramarrësit, në marrëveshje me qiradhënësit, do t’i shlyejnë dy muaj qira gradualisht pas 31 majit.

Kryeministri shtoi se do të ketë trajtim specifik për individët që i kanë mënyrë jetese të ardhurat nga qiratë.