Samir Mane, presidenti i Balfin Group, foli për “Opinion” në lidhje me krizën e shkaktuar si pasojë e masave të marra për të mbajtur nën kontroll pandeminë e Covid-19. Ai tha se kjo është një situatë problematike jo vetëm për bizneset e vogla, por edhe të mëdhatë.
Mbi pasojat e krizës te kompanitë e mëdha:
“Kompanitë e mëdha si në të gjitha vendet e botës janë shumë të rrezikuara, për të mos thënë më të rrezikuara se kompanitë e mesme dhe të vogla, por po bëjmë ç’është e mundur dhe besojmë se deri në maj apo qershor të vitit tjetër, të mbajë kapacitetet financiare pa hequr asnjë nga puna.”
Mbi sa gjatë mund të rezistojnë kushteve kompanitë shqiptare:
“Varet nga industria, por ka kompani që nuk do të mbyllin dot as prillin, pasi të ardhurat nuk i përballojnë shpenzimet. Ka kompani që kanë mallra me datë skadence një muaj. Unë mendoj që kompanitë e mëdha mund të kenë një deri në katër apo pesë muaj, por të tjera mund të rezistojnë më gjatë.”
Mbi rritjen e mundshme të çmimeve:
“Çmimet mund të rriten nga ndryshimi i kursit të euros apo edhe nga kompanitë e huaja. Nëse ata i rrisin, do të reflektohen dhe te ne.”
Mbi furnizimet:
“Mendoj se ka mjaftueshëm furnizim të paktën për tre deri në katër muaj. Natyrisht, furnizimet e importit varen nga kufizimet që do të vendosin vendet e tjera. Ka vende që kanë vendosur kufizime ushqimore, ka vende që nuk i kanë vendosur.”
Mbi krizën e mundshme të papunësisë:
Unë besoj se nuk do t’i shpëtojmë dot trendit. Jam i sigurt që do të ketë papunësi. Nëse kërkesa në perëndim bie, kjo pa dyshim do të ndikojë edhe Shqipërinë. Është një krizë e thellë. Nëse bizneset qëndrojnë një muaj mbyllur, duhen 18 muaj për ta rikuperuar. Jam i sigurt që Shqipëria është në ditët më të këqija të vetat mesa mbaj mend unë.”
Mbi kompanitë e tij:
“Shitja me pakicë është afektuar në masë nga kriza, por 55% e njerëzve janë në punë, ndërsa pjesa tjetër janë në shtëpi, pasi qendrat tregtare, dyqanet e pakicës janë mbyllur. Të gjithë janë paguar deri tani dhe shqetësimi im më i madh është si të mos heqim asnjë punëtor nga puna.”