Përpos lehtësirave të vogla në masat e marra, gjatë komunikimit të tij Edi Rama u ndal sërish për të sqaruar njerëzit në lidhje me pagat e luftës.
Ai tha se sot (6 prill) janë miratuar 9500 pagat e para të luftës për bizneset e vogla që hyjnë në kategorinë e atyre që kanë mbyllur aktivitetin dhe nuk punojnë dot, duke shtuar se deri në fund të javës që vjen do të kalojnë mbi 60 mijë paga të tjera lufte.
"Aplikimet bëhen në faqen online tek drejtoria e tatimeve, ku pas verifikimeve bëhen miratimet. Të gjitha kategoritë e tjera që kemi thënë do t’i fusim në kategoritë që do të përfitojnë nga zgjerimi i paketës, pas datës 15 prill."
Në lidhje me vendimin mbi pezullimin e qirave, Rama njoftoi të gjithë ata qytetarë që qiranë mujore e kanë burimin e vetëm të të ardhurave.
“Kemi çelur një mundësi për të aplikuar tek faqja e tatimeve për individët që pretendojnë që qiranë kanë të vetmen të ardhur. Ka shumë individë që janë ankuar duke thënë se çfarë do bëjmë ne se kemi të vetmen të ardhur qiratë. Në kushtet kur s’ka të ardhur tjetër ne do të mbështesim. Deri tani kemi 100 individë. Ju lutëm aplikoni tek faqja e tatimeve. Për ta do të bëjmë gati një kontribut nga shteti.”- u shpreh ai.
Një tjetër pyetje e përsëritur nga qytetarët ishte në lidhje me bonuset e bebeve, por kreu i vendit pohoi se ai bonus do të vazhdojë të jepet si normalisht.