Dasma

Ju çifte që keni caktuar data për dasmë këtë sezon, lexoni patjetër këtë!

Shkruar nga Anabel

6 Prill 2020

Ju çifte që keni caktuar data për dasmë këtë

Një vajzë, Jona na shkroi një letër në inboksin e faqes sonë në Facebook, ku shprehej e mërzitur për faktin që nuk do ta bëjë dot dasmën në datën e planifikuar, 12 prill.

“Kisha gati çdo gjë. Edhe ftesat ishin ndarë. Çdo gjë mund të prisja të më ndodhte, por këtë gjë kurrë. Ëndrra ime u prish nga një korona e mallkuar. [N]uk e dimë si do shkojë kjo gjendje!” -shkruan Jona ndër të tjera.

Ju çifte që keni caktuar data për dasmë këtë

Një tjetër vajzë e ka caktuar datën në 23 gusht dhe na tregon:

“Nuk e di a do ta bëj. Kisha 5 vjet që mendoja për këtë dasmë. Vjet e anullova se vdiq një i afërm, tani Zoti shpik koronavirusin. Kisha menduar çdo detaj dhe planifikuar dhe kur s’do Zoti, s’do. Ama s’besoj se do të bëj dasmë ndonjëherë.”- tregon ajo e emocionuar mes rreshtave.

Ju çifte që keni caktuar data për dasmë këtë

Por a ja vlen të deprimohemi dhe të turremi për të anulluar dasmën e shumë ëndërruar prej koronavirusit? Vërtet që ne nuk jemi parashikues të fatit e nuk mund t’ju themi se kur do të mbarojë kjo situatë, por jemi 100% të sigurt që gjërat do të përmirësohen tashmë edhe në prag të verës, nëse natyrisht do të kemi dëshirën e mirë për të respektuar bashkarisht rregullat dhe për të mos kaluar në një kolaps të plotë ekonomik dhe të parikuperueshëm për disa vite në vazhdim.

Kështu që siç mendojmë pozitivisht për ditën tonë të shumë ëndërruar të dasmës,le të mendojmë po aq pozitivisht edhe për mundësitë e pafundme për t’u martuar në një datë tjetër.

Ju çifte që keni caktuar data për dasmë këtë

Marçela Lati, bashkë-themeluese e një prej kompanive më të mëdha në treg të eventeve dhe dasmave “Geraldina Sposa”, sqaron për të gjithë çiftet që kanë caktuar datën e dasmës, që nuk ka pse t’u shkojë nëpër mendje fjala “anullim”.

“Sapo filluan kufizimet, unë mora laptopin dhe u përgatita për anullime të njëpasnjëshme të dasmave, por nuk ndodhi kështu. Pati vetëm një anullim nga një klient që jetonte në Itali dhe një vajzë shtatzënë që pasi e shtyu dy herë, vendosi që të mos ta bënte për momentin pasi po i afrohet datës së lindjes. Të gjithë të tjerët i kanë shtyrë. Nëse keni paguar paradhënie, nuk ka asnjë problem. Mjafton të caktoni një datë tjetër dhe shërbimin do ta merrni po njësoj.”

Vera është sezonin më i ngarkuar i dasmave dhe shumë çifte që kishin caktuar dasmat e tyre në muajt prill-maj-qershor (fillim) frikësohen se nuk do të ketë mundësi për të gjetur një datë të lirë. Por Marçela na siguron që kjo është plotësisht e mundur.

“Nga Korona, unë parashikoj që sezoni i verës të shtyhet deri në fund të tetorit.Çiftet nuk kanë pse të frikësohen, sepse ka data për të gjithë. Unë do t’ju sugjeroja të shmangnit dy javët e para të gushtit sepse ato historikisht kanë rezultuar dy javët më të ngarkuara të vitit. Por korriku është një muaj i mrekullueshëm për dasma, gjithashtu Shtatori dhe çdo datë tjetër që çiftet e  shohin të arsyeshme.”

Duke qënë se ne ende jemi të paqartë se kur do të mbarojë afati i karantinimit dhe kur do t’i kthehen jetës normale, një shqetësim tjetër për shumë çifte është nëse kompanitë e eventeve do të mund t’i përgjigjen në kohë rekord organizimit të dasmës sipas dëshirës së klientëve.

“Nuk është diçka e pazakontë për ne që të bëjmë dasma edhe brenda javës. Të paktën ne si kompani e kemi ngritur strukturën e tillë që menaxhojmë me sukses evente shumë të mëdha brenda një kohe shumë të limituar.”- tregon për Anabel.al bashkëthemelues i “Geraldina Sposa”, Armand Peza.

Pra të dashura çifte që jeni ende të deprimuar dhe e quani koronavirusin një “pengesë” apo “shenjë e keqe” për marteën tuaj, qetësohuni. Koronavirusi ka izoluar gjithë botën (si asnjëherë në historinë e njerëzimit) , por fatmirësisht bota përpara koronës ka funksionuar shumë mirë dhe do të vazhdojë të funksionojë, duke përfshirë këtu dhe kompanitë që merren me organizimin e dasmave. Asgjë s’do të ndryshojë në ëndrrën tuaj, përveç një date. Madje pas këtij karantinimi, do të keni arsye për të festuar “më fort” bashkarisht për dashurinë, me njerëzit tuaj më të dashur që i patët larg për kaq.

“Çiftet nuk kanë pse të shqetësohen. Unë do t’ju këshilloja që të mos heqin dorë nga ëndrra e tyre, ta marrin me qetësi, t’i marrin më të mirën karantinës, të fantazojnë për dasmën e tyre dhe të kujdesen për shëndetin. Sapo kjo gjendje të mbarojë, gjithçka do të shkojë ashtu siç ata e kanë planifikuar.”- përfundon Armand Peza.