Shqipëria

Shqipëria është pjesë e studimit klinik ndërkombëtar të OBSH-së

Shkruar nga Anabel

6 Prill 2020

Shqipëria është pjesë e studimit klinik

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, bëri me dije (via Agjencia Telegrafike Shqiptare) se Shqipëria është përfshirë në nismën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, “Public Health Emergency Solidarity Trial”, për t’u bërë pjesë e studimit klinik ndërkombëtar përsa i përket trajtimit të Covid-19.

“Për trajtimin e pacientëve me COVID-19 po ndiqen protokollet si në vendet e tjera, përdorim po ato linja trajtimi. Shqipëria për herë të parë do të jetë pjesë e një studimi të madh klinik, 'solidarity trial', iniciuar nga OBSH. Do jemi pjesë e një skuadre botërore për hetimin klinik duke përfshirë antiviralët dhe hydroxychloroquine”, tha Manastirliu.

Referuar njoftimit të OBSH-së, nisma “Solidariteti” është një provë klinike ndërkombëtare për të ndihmuar për gjetjen e një trajtimi efektiv për Covid-19 dhe do të krahasojë katër mundësi trajtimi.

Duke regjistuar pacientë në shumë vende, ky studim synon të zbulojë me shpejtësi nëse ndonjë prej medikamenteve përmirëson sëmundjen. Gjatë hulumtimit mund të shtohen edhe ilaçe të tjera.

Përderisa nuk ka prova të sigurta, OBSH këshillon që askush të mos japë receta ose të mos vetë-trajtohet me medikamente të ndryshme.