Hostel by Anabel

#Love#Likes#Tirana nuk gjendet më në YouTube: Ja ç’do të ndodhë

Shkruar nga Anabel

7 Prill 2020

#Love#Likes#Tirana nuk gjendet më në YouTube: Ja ç’do

Videot e sezonit të parë të #Love#Likes#Tirana nuk gjenden më në kanalin e YouTube-t “Anabel Entertainment” sepse produksioni ka vendosur që t’i transmetojë në një platformë me pagesë. Në një postim në Instagram, producentja dhe krijuesja Dalina Buzi, shkroi se “vendimi u mor nisur nga gjendja aktuale” dhe nga fakti që “duhet të gjejnë mënyra alternative për të financuar prodhimet e ardhshme filmike”.

Vendosja e pagesës – e cila do të jetë shumë e arsyeshme – është një formë kontributi për të tjera projekte të ardhshme, procesi i realizimit të të cilave është vështirësuar që pas tërmetit të 26 nëntorit dhe pandemisë së Covid-19.

Deklarata e plotë:

“Të nderuar miq,

Shumë na pyesin se ku u zhdukën videot e #LLT në YouTube! Pas gati 10 muajsh transmetim falas, #Love#Likes#Tirana do të kalojë së shpejti në një platformë me pagesë. Këtë vendim e morëm nisur nga gjendja aktuale dhe nga fakti që duhet të gjejmë mënyra alternative për të financuar prodhimet filmike të ardhshme ashtu si e gjithë bota, duke mirëkuptuar edhe problemet që sponsorët tanë do të hasin në vijim, prej krizës. Çmimi do të jetë shumë i arsyeshëm dhe çdo e ardhur do të shkojë për prodhimin e projekteve filmike të cilat i kemi gati, qoftë një film fantastik, ashtu edhe seriali #Love#Likes#Tirana apo një tjetër në vijim. Nuk na pëlqen të qajmë halle, por as të gënjejmë. Ne krijuesit në këtë vend të varfër si Shqipëria luajmë me mullinjtë e erës. Sezoni i dytë i #LLT që është fantastik dhe 30 minuta seria, që të bëhet me cilësi maksimale kushton minimumi 300,000 euro.

Deri tani, ne, nga kompania jonë realitivisht e vogël, vetëm me mbështetje sponsorësh, ju kemi sjellë rreth 40 orë kontent, një mini-serial, skeçe, koncepte të reja realizimi, kemi promovuar figura të reja dhe jemi përpjekur të jemi on top me informacione korrekte dhe argëtim.

Por tërmeti dhe tashmë kjo situatë e ka vështirësuar pak procesin (sepse argëtimi dënohet i pari) dhe jemi me fat që nuk nisëm nga puna për #LLT2, se pavarësisht se ju e doni shumë, me këtë që ndodhi dhe me tërheqjen e papritur të disa sponsorëve për shkak të bllokimit të aktivitetit të tyre nga ‘Si n’jetë’, për ne do të ishte humbje katastrofike dhe më keq, s’do mundeshim të prodhonim më.

Duhet të kuptoni që në këtë vend ne artistët e pavarur jemi alienë. Për shembull në këtë kohë karantine e pasigurie ekonomike, ne po punojmë për një projekt filmik. Por meqënëse Anabel është ndërtuar mbi konceptin e sinqertitetit dhe komunikimit, e ndjejmë si detyrë t’ju sqarojmë edhe për gjëra që ju s’keni pse t’i dini. Ne patjetër që nuk do të ndalojmë së prodhuari gjëra argëtuese, pasi në radhë të parë kënaqim shpirtin tonë, por çdo gjë ka kohën e vet dhe mbështjetja juaj ka shumë rëndësi. E duam shumë Shqipërinë, por për krijuesit, sa të jep ky vend (si laborator që është) aq edhe të rraskapit. Arsyeja pse s’ka shumë seriale shqiptare në TV me buxhete 10fishin tonë është kosto.

Ndaj kur të shihni lajmërimin javën tjetër për #LLT me pagesë dhe për prodhime të tjera në vazhdim, mos e quani si “futje”, por si kontribut. Ne krijuesit nuk ëndërrojmë salltanete sepse e dimë ku jetojmë dhe nuk na bën të lumtur një vilë me 3 kate, se kënaqemi me një kompjuter, kamera e pikë montazhi, por ëndërrojmë të vazhdojmë të punojmë e të kemi mundësinë financiare për të bërë projekte akoma më cilësore në kualitet regjie/audio/fotografie/përmbajtje në të ardhmen. Vërtet thirrja jonë për kontribut nuk është thirrje halli për bukë, por gjykojmë se një komb pa argëtim, art e kulturë është njësoj i varfër. Faleminderit!”

#LLT, siç u shpreh producentja Dalina Buzi në një intervistë për Anabel.al, trajtoi të përditshme e Tiranës, një Tiranë që shumë pak portretizohet në prodhime kinematografike/televizive. “Është Tirana e dashurive, ndarjeve, problemeve në familje, në karrierë, Tirana (edhe) e një mentaliteti modern. Tirana ku njerëzit kërkojnë veten dhe njëri-tjetrin,” u shpreh Buzi.

#Love#Likes#Tirana nuk gjendet më në YouTube: Ja ç’do

Një subjekt që lindi si një trekëndësh dashurie, u shndërrua më pas në linja të dyfishta e të trefishta duke larguar pak e nga pak fokusin nga protagonistët Zoi-Klajdi-Luna. Në #LLT, personazhet u vendosën në funksion dhe u zbuluan përmes njëri-tjetrit. Karakteri i tyre u shpalos nga dhe përmes të tjerëve; ata nuk "u fotografuan" në habitatin e tyre, por në marrëdhëniet që krijonin.

#Love #Likes #Tirana hoqi dorë nga përdorimi i skemës klishe: Romanca dhe drama mes një djali dhe një vajze të re. Sigurisht që një marrëdhënie e tillë qëndron, por #LLT solli në të njëjtën kohë shembullin e dashurisë platonike (Iris-Erion), dashurisë brenda të njëjtit seks (Xheni-Sara), dashurisë në distancë (Ledia-Landi), dashurisë së nxituar (Lina), dashurisë së pamundur (Elio-Zoi, Luna-Klajdi). Pesha që iu dha secilës qe pothuajse e barabartë.

Pas transmetimit të serisë finale, më 2 korrik 2019, #Love#Likes#Tirana grumbulloi kritika pozitive përsa i përket linjës së zhvillimit të ngjarjeve, perceptimit të situatave, risive dhe trajtimit të çështjeve delikate.