Në një deklaratë për mediat, drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Silva Bino, u shpreh se do të aplikohet një test i ri për Covid-19. Testimi do të shërbejë si ndihmë për diagnozën.
“Do të aplikohet një test i ri, por jo për personat imunë. Do të aplikohet një test i ri në ndihmë të diagnozës, i cili është një test i ri serologjik dhe që ndihmon më mirë në diagnozën e sëmundjes. Përsa i përket imunitetit të popullatës, kjo po planifikohet dhe do të nisë sapo testet të jenë gati.”
Shën.red. Serologjia është studim shkencor i serumeve dhe lëngjeve të tjera të trupit. Në praktikë, termi i referohet identifikimit të disa anti-trupave, që formohen si përgjigje ndaj një infeksioni, kundër proteinave të tjera të huaja etj.
Shtojmë se Shqipëria është pjesë e studimit klinik të Organizatës Botërore të Shëndetësisë në nismën “Solidariteti”, që synon të gjejë një trajtim efektiv për Covid-19.