Në një komunikatë në rrjetet sociale, kryeministri Rama publikoi një grafik ku vihet re një rënie graduale e shtrimeve në mjediset spitalore për Covid-19.
“Ky tregues që e has shumë pak, për të mos thënë fare në vendet e tjera nën agresion, ku mbingarkesa e spitaleve po vjen si haraç për vonesat në marrjen e masave, na thotë qartë se e para, po bëjmë gjënë e duhur; e dyta, duhet të vazhdojmë kështu, me durim të madh, sepse armikun e kemi pas çdo porte; e treat, po vazhduam kështu do të dalim më shpejt fitimtarë se shumë të tjerë, më të mirë, më të fortë dhe me kokën lart përpara brezave që vijnë nga kjo sfidë historike.”
Ndërkohë drejtorja e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico, u shpreh se në 24 orët e fundit janë testuar 236 persona të dyshuar me Covid-19, nga të cilët 17 kanë rezultuar pozitivë. Në total, numri i personave të diagnostikuar me Covid-19 është 400, 22 persona kanë humbur jetën ndërsa 154 janë shëruar.