Original

Nëse i gjeni lirë, rezervojini që tani pushimet në Turqi

Shkruar nga Anabel

11 Prill 2020

Nëse i gjeni lirë, rezervojini që tani pushimet në Turqi

Në momentin që u identifikuan rastet e para me koronavirus në Shqipëri dhe në momentin që u bllokuan lëvizjet dhe udhëtimet, nuk i shkuan kujt ndërmend puzhimet verore. Kishim dhe kemi shqetësime më të rëndësishme. Por, duke parë trendin e tanishëm dhe efektivitetin e masave gjithnjë në zbutje, gjasat janë që vera nuk do të anullohet.

Zakonisht, sezoni veror në Turqi hapet në prill, por duke parë situatën, pritet një hapje në maj ose në fillim të qershorit.

Etleva Fetahu, menaxhere produkti pranë Globus Travel, u përgjigj për Anabel dhe tha se edhe këtë vit, pushimet veçanërisht në Antalia mund të zgjasin deri në fund të shtatorit e fillim të tetorit.

Nëse gjeni një paketë që ju pëlqen dhe është me ulje, rezervojeni. “Gjatë kësaj periudhe, një pjesë e hoteleve kanë bërë një zgjatje të kohës së aplikimit të zbritjeve për rezervime të konsideruara në avancë,” thotë Fetahu. “Presim të ketë oferta për hotelet në Antalia dhe për disa hotele në Bodrum.”

Por çfarë ndodh nëse kufizimi i lëvizjes zgjat deri në korrik? “Nëse do të ketë shtyrje të karantinës përtej datave të rezervuara, sigurisht do jetë mundësia e shtyrjes së datave,” thotë Fetahu.

Në fjalë të tjera, prej situatës në të cilën gjendet bota, përfitoni pushime me ulje edhe pse normalisht periudha e uljeve duhej të kishte mbaruar. Nëse fati e do që izolimi të zgjasë më gjatë, datat thjesht shtyhen dhe asgjë s’humbet.

Gjithashtu, vlen të përmendet se hotelet në Turqi ndjekin të gjitha rregullat dhe protokollet sanitare të urdhëruara nga OBSH dhe Ministria e Turizmit të Turqisë. Kjo parashikon sanitarizimin në mënyrë të vazhdueshme të dhomave, pajisjeve dhe gjithë dhomave të hotelit.