Shqipëria

Që sot, këta janë 'policët e rinj' që do të monitorojnë qytetarët!

Shkruar nga Anabel

13 Prill 2020

Që sot, këta janë 'policët e rinj' që do
Foto ilustruese

Përveç policëve, duke filluar nga dita e sotme qytetarët do të monitorohen nga dronët, për t'u siguruar edhe më mirë nëse masat kundër Covid-19 po zbatohen siç duhet nga të gjithë.

"Prezantimi" i tyre u bë pranë stadiumit Dinamo ku teksa qarkullonin në ajër jepnin vazhdimisht mesazhe të përsëritura për qytetarët. Një strategji e tillë bëhet në mënyrë që autoriteteve të mos i shpëtojë asnjë rast prej atyre që nuk respektojnë rregullat e vendosura dhe oraret e lejuara. Gjatë prezantimit të tyre, Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj ngriti një tjetër shqetësim.

Sipas tij, qytetarët e kanë keqkuptuar fashën e zgjatur orare.

"Dua t'i bëj një thirrje qytetarët që ta kuptojnë drejt zgjerimin e fashës orare. Ky zgjerim do të thotë që të krijohet më shumë mundësi për ata që duan të shkojnë në punë dhe të ulet dendësia e qarkullimit për ata që shkojnë për të blerë.  Zgjerimi i fashës orare është bërë vetëm për të mundësuar vetëm një destinacion, ose në punë, ose në dyqan për të zgjidhur nevojën imediate jetësore."- u shpreh ai.

Në urdhrin e ri të orareve të lëvizjes, u bë gjithashtu me dije se që nga dita e premte do të ndalohet  lëvizja e qytetarëve nga ora 17:30 deri të hënën në orën 05:00.

Gjatë 24 orëve të fundit nga 193 teste të kryera kanë rezultuar pozitivë 21 prej tyre duke e çuar numrin e të infektuarëve në 476.

Burimi: Balkan Web