Anonim të lutem

Këta shqiptarë mendojnë se e kanë kaluar koronavirusin para karantinës

Shkruar nga Anabel

13 Prill 2020

Këta shqiptarë mendojnë se e kanë kaluar koronavirusin para

Në një sondazh të @anabel_mendia në Instagram, 37% e ndjekësve qenë të mendimit se “e kanë kaluar koronavirusin në periudhën janar/shkurt”. Referuar mesazheve të mbërritura në inbox, pjesa dërrmuese e tyre flasin për simptoma të ngjashme, që përfshijnë – ethe, temperaturë, kollë e thatë, dhimbje muskujsh dhe lodhje. Siç mund t’i lexoni në vijim, disa prej tyre theksojnë se “nuk kanë kaluar kurrë një grip të tillë në jetë”, çka i bën të mendojnë se mund të jenë prekur nga Covid-19, pa e ditur.

Këta shqiptarë mendojnë se e kanë kaluar koronavirusin para

Shën.red. Në periudhën janar-shkurt, në vend ka qenë i pranishëm edhe Influenza A H1N1, që ka shenja klinike të ngjashme me gripin (ethe, dhimbje fyti, kollë, dhimbje koke, lodhje, humbje e oreksit, të vjella, diarre, të dridhura etj). Vërtetësia e përshkrimeve të mëposhtme mbetet e kufizuar, pasi pa kryer testin, vështirë të bëhet diferenca mes gripit, ftohjes dhe Covid-19, sidomos te moshat e reja, që përbëjnë edhe audiencën më të madhe te @anabel_media në Instagram.

1

“Në 22 shkurt, më nis një kollë nga hiçi dhe si asnjëherë më parë. Doja të mbushesha me frymë thellë, por kjo ndërpritej nga një kollë që më shkaktonte dhimbje në kraharor (ose më saktë në mushkëri). Temperatura për më shumë se 4 ditë qëndronte në vlerat 3.5 – 39 gradë Celcius. Shkova të vizitohesha dhe pasi më rekomanduan të bëja një grafi të pulmoneve, më nxorrën një pneumon të lehtë. Mora 6 ditë azotromicinen dy herë në ditë dhe 750 mg shurup për kollën dhe pas 7-8 ditësh isha ok.”

2

“Në familjen time, vëllai ka pasur një temperaturë 39 gradë Celcius për katër ditë që me zor ruler dhe pasi kaloi, i filloi një kollë e thatë që e lodhte. Gjendja zgjati 10 ditë. Diagnozën s'e diferencoje dot, por kështu ishte dhe ime më, madje i iku dhe nuhatja. Periudha ishte java e dytë e shkurtit dhe në atë kohë as OBSH nuk kishte nxjerrë informacione për diferencën mes shenjave të gripit dhe Covid-19.”

3

“Në datën 11 mars, më hipi një temperaturë dhe vazhdoi për 5 ditë. Doktorët e 127 më thonin të pija ibuprofen, paracetamol, takipirin se s’kishin ç’të më bënin, përderisa unë s’kisha pasur kontakt me një person që vinte nga jashtë dhe nuk kisha koronavirus sipas tyre, edhe pse i shpjegova faktin që punoj në një dyqan veshjesh në rrugë kryesore dhe nuk i dihet kush ka ardhur aty. Pas 2 ditësh, më filloi një kollë e thatë dhe 3 javë kam qenë më kollë.”

4

“Në janar, personalisht jam sëmurur me një grip që s’e di nëse mund ta quaja grip. Më ka qëndruar temperatura 40 gradë Celcius për 4 ditë dhe kisha vështirësi në frymëmarrje, ethe për vdekje që nuk ishin normale fare për një grip të zakonshëm. Të tillë situatë e kaluan edhe shumë njerëz në atë periudhë. Ndoshta e kemi kaluar pa e kuptuar sepse në Shqipëri në atë momente nuk ka pasur raste të evidentuara.”

5

“Në javën e dytë të shkurtit, u sëmur mami keq fare me temperaturë, kollë, dhimbje kraharori, djersë e mungesë urie. Fill pas saj u sëmur babi me po të njëjtat simptoma. Shkon një ditë gjyshja për t’i vizituar dhe pas 3 ditësh edhe gjyshja bashkë me gjyshin të njëjtën gjë. Mamit i zgjati diku te 10 ditë, ndërsa babi pak më pak, ndoshta edhe sepse lëvizte dhe nuk ishte aq i pafuqishëm. Unë isha në Tiranë në ato momente dhe më 22 shkurt, vij t’i vizitoj. Pas tre ditësh, edhe unë të njëjtën gjë. Temperaturën e kisha 38-39 gradë Celcius, kisha dhimbje muskujsh, kollë e tmerrshme, probleme me frymëmarrjen dhe për 4-5 ditë më iku. Kam pirë vetëm paracetamol dhe shumë lëngje.”

6

“Këtë e kam kaluar edhe unë. Në fund të shkurtit-fillim marsi, pasi erdha nga Mali i Zi. Në fillim u sëmur bashkëshorti, pastaj unë. Temperaturë e lartë, ethe, dhimbje këmbësh sa nuk arrija dot ulur as në këmbë. U sëmurëm si familje.”

7

“Unë në shkurt kam qenë sëmurë 6 ditë me temperaturë, dmth me grip pa më të rëndë. Shtrirë çdo ditë dhe nuk kishte ilaç që të ulte temperaturën. Maksimumi 2 orë dhe shkonte prapë 39 gradë Celcius. Kisha edhe simptoma të tjera: tharje fyti, kollë e rëndë.”

8

“Njësoj këtë grip në 10 janar e kaluan binjakët e mi. Vajza 6 ditë me temperaturë dhe ethe herë pas herë. Temperatura mezi binte, ndërsa djalit i mbajti 4 ditë. Një javë më parë, e kishte kaluar kunati im. Unë dhe im shoq e kaluam më lehtë. Pediatria më tha që është grip në qarkullim dhe njësoj e kaluan edhe 2 fëmijët e motrës në të njëjtën periudhë.”

9

“Në janar, jam sëmurur 1 javë me temperaturë të lartë, 39 gradë Celcius dhe nuk zbriste. Kisha ethe shumë, kisha dhimbje trupi si asnjëherë më parë dhe kollë jo aq shumë të rëndë, por më bezdiste. Besoj se ne moshat e reja që s’kemi probleme të tjera shëndetësore e kalojmë më lehtë në krahasim me njerëzit e tjerë.

10

“Në fillim të shkurtit, më kap një grip që më është dukur si murtajë. Filloi me dhimbje grykësh e temperaturë 38 gradë Celcius, pastaj pas rreth 4 ditësh u rrit temperatura. Pata shumë ethe dhe fillova të mos mbushesha dot me fymë. Gjatë natës me zor flija sepse kisha shumë vështirësi në frymëmarrje. Mos të flas për kollën që pata; kur kollitesha e dëgjonte e gjithë lagjja. Më bënë grafi dhe më thanë që kisha ftohje në mushkëri. Mora shurup e ca gjëra të tjera. Zgjati 2 javë.”

11

“Edhe unë në shkurt kam kaluar 5 ditë me temperaturë 39.5 gradë Celcius, e cila nuk ulej më shumë se 38. Ethe dhe kollë të thatë, aq shumë sa ma gërvishi fytin e ma bëri plagë. Dhimbje trupi dhe këputje më shumë se herët e tjera. E kalova vetëm me të ngrohta dhe 2 paracetamolë çdo 4 orë.”

12

“Më filloi një dhimbje koke e tmerrshme. Pas dy ditësh pata kollë dhe 5 ditë temperaturë 38.5-39.7 gradë Celcius. Shkova në ambulancë dhe mora një shurup e disa ilaçe. U bëra më mirë.”

13

“Sapo kisha ardhur na Anglia dhe më kapi një temperaturë për 4 ditë rresht. Në ditën e dytë, filloi kolla dhe pak vështirësi në frymëmarrje. Shkova u vizitova dhe më dhanë ilaçe për ftohje. E kalova lehtshëm. Pas meje, e kaloi edhe mami, por pa temperaturë; thjesht shumë kollë dhe marje fryme.”

14

“Në shkurt, jam sëmurur krejt papritur duke qenë shumë mirë, gjatë ditës në punë. Më hipën temperatura dhe ethe direkt. Kam qenë 4-5 ditë shtrirë dhe ajo që më ka bërë përshtypje më shumë qenë dhimbjet e tmerrshme të trupit. Isha e pafuqishme komplet dhe s’kisha provuar kurrë një grip të tillë. Kisha që fëmijë që nuk bëja regjim shtrati kur më kapte ndonjë virozë. Te puna kemi pasur të gjithë të njëjtat simptoma, disa e kaluan më lehtë, disave iu deshën 2 javë.”

15

“Pas qëndrimit në Napoli, nga hiçi më filluan ethet. Kisha temperaturë shumë të lartë, por duke qenë se kisha shkuar në udhëtim pune, e anashkalova si situatë dhe e lashë veten pas dore. Ato dy ditë kam qenë thuajse pa zë, me një kollë të thashë shumë të keqe. Gjendja vijoi për 2 javë rresht. U kurova në shtëpi me një recetë me antibiotikë dhe aerosol. Jam 22 vjeç dhe ka qenë “gripi” më i gjatë dhe sfilitës që kam kaluar ndonjëherë.”

16

“Jam sëmurur më 22 shkurt. Kam pasur temperaturë për 1 javë midis 38.5-39.5 gradë Celcius. Kisha ethe, kollë të tmerrshme; aq shhumë kollitesha sa kisha dhimbje të mëdha në kraharor dhe sikur më bllokonte frymën. Zgjati 2 javë. Nuk ka qenë absolutisht grip izakonshëm, duke qenë se kam ndenjur shumë me shoqen e ngushtë dhe kemi pasur të njëjtat simptoma. Pasi u stabilizova nga ana e temperaturës, kolla zgjati edhe 1 javë.”

Artikuj të rekomanduar: