Në Brezovicë, në një darkë paaak më shumë relaksuese seç duhet, Megi, Dea dhe Viola vendosën të flisnin për disa detaje të jetës së tyre, të cilat ndodh që nuk i diskutojnë shpesh në rrjete sociale apo ekran.
Një nga temat për të cilat folën qenë talljet apo ngacmimet.
“Mendoj që njerëzit prekin aty ku mendojnë se kanë akses dhe unë s’e kam pasur këtë shqetësim, sepse mendoj që kam ndërtuar një karakter aq të fortë sa të mos ja lejoj vetes të ndikohem nga këto gjëra,” u shpreh Megi.
Ndryshe nga Megi, Dea e ka patur të vështirë përballjen me bullizmin, për shkak të vështirësisë për t’u përshtatur në një ambient të ri.
“Kur kam qenë e vogël, ngaqë kam ndërruar shumë shkolla, njerëzit talleshin me mua. Isha gjithmonë ai fëmija i ri, isha një vajzë që nuk i flisja askujt sepse isha shumë e ndrojtur. Jo vetëm e ndrojtur, por isha edhe në botën time. Ka pasur raste që edhe mbyllesha në shtëpi dhe qaja dhe të them të drejtën nuk e di si e kalova, por kam përshtypjen se këto gjërat që njerëzit talleshin dhe m’i vinin në dukje, vendosa të mos i merrja si gjëra fatale, por t’i merrja me humor. Kur dikush më tallte për diçka, unë tallesha vetë dhe automatikisht ai person nuk kishte më forcë mbi këtë gjë. Kjo më ka mësuar që të mos jem shumë e mbikënaqur me veten, pavarësisht se dukem sikur jam kështu si princeshë.”
Gjatë bisedës, Viola u ndal te problemet me vetëbesimin dhe përjetimin e keq të gjërave.
“Para një viti, kam pasur shumë probleme me vetëbesimin dhe çdo gjë që mund të thoshte ndokush, e përjetoja si gjënë më të tmerrshme në botë. Çdo gjë e përjetoja, e mendoja, qaja. Por ka disa kohë që nuk e vras shumë mendjen për këto gjëra.”
Përsa i përket komenteve fyese në internet, Megi theskoi se “është shumë e qetë me veten e saj”.
“Nëse ka ndonjë njeri që sulmohet dhe shahet më shumë në internet, jam unë. Po të shohësh komentet, janë të tmerrshme dhe unë nuk e marr mundimin t’i lexoj. Asnjëherë, realisht asnjëherë, nuk jam ulur të lexoj diçka dhe të them ‘ua si ma ka thënë këtë gjë’ dhe të mërzitem. Kurrë. Dhe nuk ka për të ndodhur kurrë sepse jam shumë e qetë me veten time dhe njerëzit që më njohin e dinë si jam dhe më vlerësojnë.”
Bisedën e plotë e ndiqni në vijim (min 41:35).