Pas urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, fasha e orarit të lëvizjes u zgjerua, saktësisht nga ora 05:00 deri në 17:30. Megjjithatë Policia e Shtetit, në një njoftim në faqen zyrtare, sqaroi se ky orar nuk nënkupton “qarkullim të pakufizuar” të mjeteve.
“Është e lejuar vajtja në qendrat e punës e punonjësve të bizneseve, në fashën e parë orare 05:00-8:00 dhe kthimi nga puna në fashën e dytë orare 16:00-17:30.
Lëvizjet e tjera të pamotivura në qendrat urbane te automjeteve 4+1 nuk do të tolerohen nga Policia e Shtetit, pavarësisht autorizimeve, të cilat në raste të përsëritura të abuzimit do të pezullohen me penalitetet përkatëse.”
Në vijim të komunikatës, theksohet se:
“Nisur edhe nga denoncimet e qytetarëve në adresat zyrtare të saj, për persona të caktuar që shkelin orarin e karantinës, për grup banorësh në lagje periferike të qyteteve apo për lokale që ushtrojnë aktivitetin në kundërshtim me Aktin Normativ, Policia e Shtetit ka marrë masa duke nxjerrë në patrullim punonjës policie të Policisë Kriminale dhe së fundmi dronë inteligjentë në të gjithë territorin."