Në një njoftim në Facebook, ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, shpjegoi gjithë procesin e riatdhesimit përsa i përket shqiptarëve që nuk mundën dot të ktheheshin pas ndërprerjes së udhëtimeve.
“Pas pak sistemi online, i cili do t’ju japë mundësinë të rezervoni riatdhesimin tuaj, do të jetë i gatshëm për t’u aksesuar. Vizitoni faqen airalbania.com.al dhe më pas rubrikën Riatdhesime. Klikoni në linkun e hoteleve, të cilat janë transformuar në struktura karantinuese Covid-19. Lexoni me kujdes formularin e kushteve të karantinimit dhe vetëm pasi të shtypni butonin PRANOJ, do të mund të zgjidhni dhomën tuaj të qëndrimit 14 ditor.”
Në vijim, ajo u ndal te çështja e pagesës:
“Do të ndalem këtu për t’ju qartësuar çështjen e pagesës, për të cilën ka pasur shumë komente ditët e fundit. Kosto ditore e qëndrimit tuaj në karantinë është vlerësuar 21 euro personi në ditë, nga të cilat 14 euro janë akomodim dhe fjetje që do të mbulohen nga qeveria shqiptare, ndërsa kostoja ushqimore ditore prej 7 euro do të mbulohet nga vetë personi. Pasi të kryeni pagesën elektronike prej 98 eurosh, sistemi do të prodhojë vërtetimin e rezervimit tuaj, në të cilin do të gjeni një kod unik, që do t’ju shërbejë për rezervimin e biletës.”
Më pas shtoi:
“Kthehuni në faqen Air Albania dhe me kodin unik që morët nga vërtetimi i akomodimit në karantinë, procedoni me rezervimin e biletës së avionit. Pasi të keni përfunduar të gjithë procesin e rezervimeve do të jeni të gatshëm për të udhëtuar, sigurisht nëse dokumentacioni juaj identifikues është i vlefshëm dhe i plotë.”
Po kështu, ministrja tha se Air Albania do të ndalet edhe në Milano, Bari, Frankfurt, Paris dhe Londër.
“Air Albania, që nis fluturimet këtë të shtunë drejt Romës, do të fluturojë gjithashtu në Milano, Bari, Frankfurt, Paris dhe Londër. Sigurisht, ne do të vlerësojmë kërkesën tuaj për destinacione të tjera, por ju lutem mos harroni se sot përballemi me vështirësinë e një lufte të paprecedentë, ndaj dhe përpjekjet tona për të aksesuar çdo destinacion, hasin vështirësi të konsiderueshme. Destinacionet, që sapo njoftova, janë pika kyçe, që ju japin mundësi dhe qytetarëve të tjerë, që ndodhen në Europë, Amerikë, Kanada e gjetke për t’i aksesuar. Detajet e sakta për çdo fluturim do t’ju bëhen me dije nga Air Albania.”
Përsa i përket çmimit të biletës, Balluku u shpreh se kushton 100 euro.
“Çmimi i biletës së avionit varion sipas numrit të miljeve të fluturimit dhe aeroportit ku Air Albania do të ulet, por ju sigurojmë se Air Albania do të aplikojë çmime minimale thjesht për të mbuluar një pjesë të kostove të këtyre fluturimeve. Bileta nga Roma në Tiranë kushton 100 Euro.”
Për informacion të detajuar, klikoni këtu.