
Teksa fëmijët danezë me çanta në shpinë dhe prindërit pranë ktheheshin në shkollë, gjendja dukej normale. Dukej ama.
Jimmy Skov Glasdam Adetunji, kreu i arsimit të mesëm në Hendriksholm School në Rodovre, në dalje të Kopenhagenit, e shpenzoi të mërkurën duke inspektuar çdo klasë për t’u siguruar se të 440 studentët të ishin të paktën dy metra larg njëri-tjetrit.
Ai e ndau oborrin e shkollës në gjashtë seksione me shirita të kuq dhe të bardhë dhe u dërgoi prindërve një diagramë të detajuar që shpjegonet oraret e mbërritjes, rrugët, pushimet dhe drekat.
“Mezi pres që fëmijët të kthehen në shkollë,” tha Adetunji. “Por është e nevojshme të flasim për pandeminë, rregullat dhe oborrin e ndarë me shirit policie. Do të jetë një kontrast mes argëtimit dhe seriozitetit.”

Këtë javë, shkollat në gjithë Danimarkën ngritën flamurë për të festuar rikthimin e studentëve. Atmosfera ishte e ngjashme me atë të ditës së parë të vitit shkollor. Dhe është dita e parë e shkollës pas një muaji izolim nxitur nga pandemia. Danimarka ishte një nga shtetet e para europiane që mbylli kufijtë, dyqanet, shkollat dhe restorantet dhe që ndaloi grumbullimet masive. Tani, është një nga shtetet e para që po i rikthehet gradualisht normalitetit.
Dita ditës, në spitale paraqiten më pak të sëmurë. Gjatë marsit, u shtruan më shumë se 500 persona me koronavirus, por në mes të prillit, numri ra në 353 – në dallim nga shtetet e tjera që patën shtim të të infektuarve.
Deri më sot, sipas agjencisë së sëmundjeve infektive të Danimarkës, 321 njerëz kanë humbur jetën.

Hapja graduale e Danimarkës u njoftua nga kryeministrja Mette Frederiksen pak ditë më parë. Studentët deri në 12-vjeç janë pjesë e fazës së parë. Shkollat duhet të sigurojnë higjienën dhe zbatimin e distancimit social për të mbrojtur studentët dhe stafin.
Rregullat e vendosura nga qeveria udhëzojnë ndarjen e studentëve në grupe më të vogla, larjen e duarve çdo dy orë. Sipërfaqet si lavamanët, tualetet, bravat e dyerve duhen dizinfektuar dy herë në ditë.
Gjithashtu, shkollat po bëjnë çmos që studentët të kalojnë sa më shumë kohë jashtë.
Burimi: CNN