Kur mora vesh se do të izoloheshim në shtëpi, nuk u mërzita thuajse fare. Më pëlqen shtëpia dhe më në fund do të kisha kohë për të parë gjithë filmat e mirë që s’kisha parë dhe për të lexuar pirgjet me libra që kisha blerë. E nisa me kryevepra të kinematografisë... dhe e përfundova me seriale reality në Netflix ku protagonistët nuk lejohen të puthen apo të bëjnë seks me njëri-tjetrin. Njeri jam dhe unë.
Edhe pse dola nga parashikimet e mia, nuk pendohem fare. “Too Hot To Handle” është seriali më argëtues që kam parë së fundi. Sidomos kur marr parasysh se u fiksova çmendurisht pas “Love Is Blind.”
Sipas formulës, protagonistët superseksi duhet të kalojnë një muaj në një resort ekzotik, por nuk duhet të puthen apo bëjnë seks sepse kështu ulin vlerën e çmimit përfundimtar prej 100 mijë dollarësh. Një puthje për shembull kushton 3 mijë dollarë, pak seks oral kushton 6 mijë dollarë, seksi i mirëfilltë kushton 20 mijë dollarë. Theksoj se këta njerëz kanë të gjithë probleme me përkushtimin dhe fusin në krevat një njeri të ndryshëm çdo natë. Madje në fillim, askush s’e besonte që do ia dilnin aq gjatë pa seks. I tmerrshëm, e di.
Le të flasim për personazhet. Franceska është modele Instagrami dhe manipulatore:
View this post on Instagram
Haley është studente që s’ia ka idenë ku i bie Australia:
View this post on Instagram
Harry është nga Australia dhe e quan veten alfa:
View this post on Instagram
Kelz është lojtar futbolli amerikan dhe dorështrënguar në maksimum:
View this post on Instagram
Matthew, i njohur edhe si Jezusi, është "intelektual" dhe "i thellë":
View this post on Instagram
Chloe, siç tha vetë, është budallaqe:
View this post on Instagram
Rhonda ka një djalë, por e thotë në fund fare:
View this post on Instagram
Sharron fitoi zemrat e fansave kur krahasoi krenarinë e tij mashkullore me një shishe deodoranti:
View this post on Instagram
Të tjerët s’ishin dhe aq interesantë.
Jetët e këtyre bukuroshave sundohen nga Lana, një robot me inteligjencë artificiale në formën e një koni që vëzhgon dhe regjistron çdo bisedë a veprimtari mes personazheve. Ndërkohë, gjithë ngjarjet rrëfehen nga një zë misteriz me sens humori të paparë.
Pika e fortë e “Too Hot To Handle” është ritmi i shpejtë dhe gjërat e pabesueshme që thonë personazhet. Sigurisht, një rol të rëndësishëm luan edhe fakti që janë të gjithë si skulptura, të tonifikuar, të bukur dhe tërheqës. Për sa kohë nuk flasin. Në momentin që flasin kupton që janë më të cekët se një pellg në asfalt.
Rekomandoj ta shihni me partnerin. Ose do të ziheni ose do të jeni mirënjohës që keni njër-tjetrin. Në të dyja rrethanat, diçka është e sigurt: Nuk do të vini vërdallë me turinj.