Gjatë komunikimit të fundit live me qytetarët, kryeministri Rama njoftoi se masat liruese do të vijojnë të shtohen në ditët pasardhëse. Rama u shpreh se java e ardhshme do të ketë zgjatje në orarin e pazareve dhe një pjese tjetër biznesesh, ndërsa e hëna e 4 majit e gjen vendin shumë më të liruar.
"Javën e ardhshme do e rrisim orarin për pazar dhe do hapim dhe rrugët ndërqytetëse për taksitë. Nga e hëna 4 majit do ta lehtësojmë shumë lëvizjen brenda qyteteve, qoftë me këmbë, qoftë me makinë madje pa e kufizuar tek makinat që duan të shkojnë në punë dhe po ashtu do hapim dhe bllokun tretë të bizneseve."
Bashkë me njoftimin, kreu i vendit i kërkoi qytetarëve të bëjnë durim dhe të binden që hapja do të vijë me shumë rregulla dhe masa që duhen zbatuar. Përpos të tjerave, Rama shtoi se deri javën tjetër do të jetë marrë një vendim për shkollat dhe universitetet, vendim i cili do të merret në bazë të ecurisë së situatës.
Në fund të komunikimit të tij, Rama tha se qytetarët duhet të përgatiten se kthimi në normalitetin e ri do të shoqërohet me sjellje të reja për shumë kohë me radhë.
"Normaliteti i ri nuk do të jetë ai që kishim përpara se të hynim në këtë gjendje. Për ta mbrojtur normalitetin e ri, duhet të kemi një sjellje të re dhe do të duhet t'i imponojmë njëri tjetrin të gjithë rregullat dhe kushtet me rigorozitet, për të mos u kthyer aty nga ku dolëm deri tani."-përfundoi ai.