Shqipëria

Ministri i Turizmit flet për pasaportat mjekësore, dasmat dhe lejet për plazh

Shkruar nga Anabel

22 Prill 2020

Ministri i Turizmit flet për pasaportat mjekësore, dasmat dhe lejet

Në një intervistë për Opinion, ministri i Turizmit, Blendi Klosi, foli për disa nga çështjet më të diskutuara të momentit në lidhje me turizmin dhe pushimet.

Për pasaportat mjekësore:

“Në diskutimet që ne bëjmë me Organizatën Botërore të Turizmit, ku kam qenë pjesë e disa konferencave, po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme pasaporta e mjekimit. Pra, më shumë sesa emrin dhe mbiemrin do të verifikohen se çfarë analizash ka bërë dhe se nga cili vend vjen.”

Për plazhet:

“Në grafik, e kemi të fokusuar turizmin në periudhën korrik-gusht-shtator dhe nëse nuk goditet kjo periudhë, mund të fillojmë. Kemi gati masat që duhet të ndërmarrin bizneset, hapësirat dhe distancat që duhet të respektojnë.”

Lejet te e-albania për plazh:

“Lejet do të merren për strukturat [jo nga pushuesit], plazhi do të vazhdojë me kufizime.”

Për dasmat:

“Dasma do të ketë, por me kushtet e koronavirusit. Dasmë [në kuptimin e ceremonisë] do të jetë e vështirë, sepse varet si do të shkojë situata. Martesa mund të bëhet, por dasma është me pikëpyetje. Do jetë e vështirë sepse janë gjëra masive dhe të vështira për t’u kontrolluar sepse nuk respektohet distanca.”

Në vijim të intervistës, ministri u shpreh se nëse fluturimet rifillojnë muajin tjetër, Shqipëria mund të presë turistët e parë në fund të majit, por kjo mbetet ende për t’u parë, pasi jo të gjitha strukturat e turizmit janë gati për rifillimin e punës.