Udhetim

Pas pandemisë, a do të rriten apo do të ulen çmimet e fluturimeve?

Shkruar nga Anabel

22 Prill 2020

Pas pandemisë, a do të rriten apo do të ulen çmimet e

Me zbutjen e masave të izolimit dhe rihapjen graduale të bizneseve, siç u shpreh edhe ministri i Turizmit, Blendi Klosi, mundësitë më të mëdha janë që pushimet verore të mos anullohen. Duke marrë parasysh se udhëtimet turistike janë ndërprerë, natyrshëm lind pyetja se si do të jetë trendi i çmimit të biletave pas pandemisë. A do të jenë këto pushime të shtrenjta?

Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA) u shpreh (via The Telegraph) se udhëtimet ajrore kanë rënë me 80% javët e fundit dhe Europa është goditur rëndë. IATA përcakton standardet teknike për linjat ajrore, organizon konferenca si edhe shërben si mënyrë për rregullimin e çmimeve.

Një mundësi është që çmimet e fluturimeve të rriten në vazhdën e pandemisë, pasi linjat ajrore mund të kërkojnë të frenojnë ose kompesojnë humbjen. Një burim pranë kësaj industrie tha për The Telegraph se “nëse transportuesit do të detyrohen të mbajnë distancën sociale, gjasat janë që të mbushin vetëm gjysmën e avionit, domethënë kostoja rritet.”

Megjithatë ekziston edhe mundësia tjetër që pritet të jetë më e besueshme: Linjat ajrore duhet të mbajnë çmime të ulëta për të inkurajuar kërkesën dhe për të tërhequr turistë.

IATA vlerëson se numri i pasagjerëve do të ulet me 48% në vitin 2020, në krahasim me vitin që lamë pas. Në këtë pikë, do të kemi ulje çmimesh në mënyrë që agjencitë dhe linjat ajrore të tërheqin njerëzit, që këtë vit kanë një buxhet më të kufizuar. Referuar këtyre të dhënave, gjasat janë që të ketë edhe marrëveshje përsa i përket akomodimit në hotele, vendpushime apo shtëpi me qira.