Për mendimin tonë

Ermal, jo të gjithë u bënë të pasur duke lexuar ‘Si të bëhesh milioner’

Shkruar nga Sindi Salaj

26 Prill 2020

Ermal, jo të gjithë u bënë të pasur duke lexuar
“Si të bëhesh milioner” është përdorur për të përmbledhur në formën e një titulli libri të gjithë librat që synojnë të të tregojnë udhën se si të bëhesh i/e pasur; ngjashmëria me tituj librash realë është rastësore.

Në ka diçka që nuk po ndalon së fundmi në internet – përveç koronavirusit dhe pyetjeve se kur do të mbarojë karantina, sigurisht – janë komentet në lidhje me deklaratën e fundit të Ermal Mamaqit përsa i përket leximit të librave. Më konkretisht, leximit të romaneve.

Nëse nuk jeni përditësuar me situatën, Ermal Mamaqi postoi në Instagram një seri videosh me qëllim motivimin e ndjekësve për të gjetur qëllimin e tyre në jetë. Fillimisht Mamaqi tha:

“Mos lexoni budalliqe. Ka ca që lexojnë romane. Ok nuk kam ndonjë gjë konkrete kundër, po kush lexon më romane tani aman, vetëm pensionistët. Duhet të lexosh libra që kanë vlerë, libra që lidhen me profesionin tënd ose libra që lidhen me situatën që po kalon.”

Pasi një pjesë e ndjekësve nuk ranë dakord me mendimin e tij, vijuan me komente kritikuese duke nxjerrë në pah se “leximi i romaneve nuk i bën dëm askujt”, gjë që e detyroi Mamaqin të reagonte sërish.

“Për punën e romaneve që thashë se lexojnë vetëm pensionistët. E thashë edhe te video e parë që nuk kam ndonjë kundër romaneve, sepse kam lexuar shumë romane në jetë, por në këtë kohë që po kalojmë, romanet i lexojnë pensionistët dhe njerëzit e pasur sepse kanë gjërat në terezi. Nuk është momenti që të lexoni romane tani, romanet kanë vlera të jashtezakonshme, por nuk është momenti që të lexojmë romane apo të shohim opera e balet klasik tani. Është momenti që të mësosh si përdoret vetja jote për të shpëtuar[...]"

Për hir të së vërtetës, bie dakord me Ermalin në një pikë. E thënë me fjalë të tjera, ai po promovon prakticitetin. Pra, nëse situatën do ta vendosim në shembuj konkretë, mund t’i referohemi Warren Buffet, një nga investitorët më të suksesshëm në histori dhe njeriu i katërt më i pasur në botë. Ai është shprehur (Via Time Money) se libri që i ndryshoi jetën është “The Intelligent Investor” nga Benjamin Graham, një libër që flet për investimet me vlerë dhe blerjen e aksioneve.

Vlen të përmenden edhe rastet e njerëzve të tjerë të suksesshëm, të cilëve ua ndryshuan jetën vepra që nuk janë libra artistikë: Mark Zurckerberg, themeluesi dhe drejtori ekzekutiv i Facebook, përmend si librin më frymëzues “The New Jim Crow” të Michelle Alexander, një libër që përqëndrohet te burgosjet në masë, të cilat shkatërrojnë sistemin gjyqësor; Bill Gates, themeluesi i Microsoft dhe njeriu i dytë më i pasur në botë, vlerëson “The Better Angels of Our Nature” të Steven Pinker, ku trajtohet pakësimi i dhunës në një botë që po përmirësohet.

Po nëse ajo çfarë po promovon Ermali ka rezultuar e suksesshme në shumë raste, ku qëndron problemi? Për të kuptuar problematikën e deklaratës së Mamaqit, po ju paraqes në vijim disa raste të tjera që romanet nuk i lexojnë dhe s’duhet t’i lexojnë vetëm pensionistët.

Ish-drejtori ekzekutiv i Cisco, i ndjeri John Chambers, përmendi veprën e Mark Twain “Aventurat e Hakëlberi Finit” si librin që e ndihmoi të kalonte vështirësitë që kishte në të mësuar kur ishte i vogël. “Ishte libri që ktheu mangësitë e mia në pikën më të fortë,” tha ai. Cheryl Sandberg, drejtoresha e operacioneve në Facebook, përmendi romanin fantastiko-shkencor “A Wrinkle in Time” të Madeleine L’Engle. “Doja të isha Meg Murry. Doja të punoja me të tjerët dhe të hidhja poshtë një sistem të padrejtë,” ka thënë ajo.

Por nëse këto emra s’ju thonë asgjë, me siguri që Jeff Bezos e njihni të gjithë. Libri që frymëzoi njeriun më të pasur në botë është romani “Dita e mbetur” e shkrimtarit që është vlerësuar nga kritika si një përzierje e Xhejn Osten, Kafkës dhe Prustit: Nobelisti Kazuo Ishiguro. Ndonëse ish-bashkëshortja e Bezos është shprehur se “ai e lexoi librin një vit pas themelimit të Amazon”, në biografinë e tij, të shkruar nga gazetari amerikan Brad Stone, thuhet se “Dita e mbetur” e Ishiguros është një nga librat që ndikoi te vendimi i tij për të konceptuar Amazon.

Thënë e gjitha kjo për të argumentuar se problemi i deklaratës së Mamaqit qëndron te përjashtimi i njërës gjë (leximi i romaneve) dhe promovimi i tjetrës (librat që kanë lidhje me profesionin). Nëse do të ishte thënë që “lexoni romane, por lexoni edhe këto...” do të bija dakord padyshim, por mosleximi i romaneve dhe letërsisë në përgjithësi nuk është gjëja më e bukur që mund t’u thuash 1 milion e 200 mijë e ca ndjekësve.

“Shqiptarin shaje nga të duash dhe nuk ka problem. Ama po e shave nga romani, nuk bëhet shaka me romanin,” reagoi më pas Mamaqi, që ndoshta ende nuk e ka kuptuar pse ndjekësit e kritikuan. “Nuk e dija që ishim një popull kaq artistik,” shtoi më pas. Ndoshta ka të drejtë. Ndoshta s’jemi. Dhe do të vazhdojmë të mos jemi nëse promovojmë mosleximin.