Për mendimin tonë

Ka vaksinë kundër mospërfilljes? Për VIP-at shqiptarë pyes

Shkruar nga Sindi Salaj

30 Prill 2020

Ka vaksinë kundër mospërfilljes? Për VIP-at shqiptarë

Kur koronavirusi shpërtheu për herë të parë në Shqipëri dhe njerëzit, të famshëm ose jo, nisën vetë-izolimin për të parandaluar përhapjen, pati një qasje gjithëpërfshirëse në rrjete sociale. Koncertet live në Instagram, videot nga shtëpia duke bërë palestër, duke parë filma ose duke gatuar, krijuan një ide se përpara koronavirusit jemi të gjithë të barabartë. Mirëpo gjithë ç’pasoi më vonë tregoi se ndoshta e romantizuam më shumë seç duhet situatën.

Historia dhe kapitalizmi kanë treguar se njerëzit asnjëherë nuk do të jenë të barabartë dhe ne jemi mësuar me këtë gjë. Duam apo s’duam, e kemi pranuar që jo, nuk jemi të barabartë. Sidoqoftë, koronavirusi na tregoi se nuk jemi as empatikë. Teksa një pasiguri ka përfshirë sistemin ekonomiko-social, VIP-at shqiptarë – ndjesë për përdorimin e këtij termi, por shqipja nuk ka një fjalë gjegjëse për “njerëz pak më të njohur se të zakonshmit”, ndaj na duhet t’i referohemi si “very important person” – vazhdojnë postojnë dhe bëjnë deklarata që mund t’i quajmë shumëçka, përveçse empatike. Pra, qëndrojnë në anën e kundërt të qasjes që kupton dhe vendos veten në vendin e tjetrit.

Për të sjellë disa shembuj pa emra konkretë sepse ideja shkon përtej personales dhe përqendrohet te fenomeni, nuk mendoj se është momenti që një personazh i njohur të tregojë se për shkak të njohjeve/miqësive, parukierja personale e hapi sallonin vetëm për atë. Por nëse kjo edhe mund të përtypet sepse me të drejtë nuk u bë gjëma se ndodhi, e kam të pamundur të them të njëjtën gjë për dikë që poston foto teksa shijon një gotë verë buzë detit, ndërkohë që nëpër media shohim dhe dëgjojmë histori mjekësh shqiptarë të përlotur, të cilët kanë 2 muaj që nuk takojnë fëmijët.

Sa e pranueshme mund të jetë deklarata e një personazhi të njohur, i cili, teksa pjesa dërrmuese e njerëzve shfryn me orë të tëra në një portal qeveritar që ndodh të bllokohet dhe më keq akoma, këta njerëz gjobiten sepse mund të kenë harruar ose mund të mos kenë marrë dot autorizim për të dalë pavarësisht rëndësisë për të lëvizur, thotë me zë dhe figurë në televizion se “policët nuk e ndalojnë fare sepse e njohin kush është”. Po i njëjti personazh thotë me shaka se “do t’i jepte 2,000 euro kujtdo që do të kishte mundësi ta kthente në karantinë sepse i mungon eksperienca e bukur atje”. Eksperiencë? E bukur? Në karantinë? Për atë mbase, por jo për dikë që e sheh nga ekrani dhe ndoshta është vetë në karantinë, ka një të afërm në karantinë ose ka humbur një person të dashur, pas qëndrimit në karantinë.

Teksa kaq shumë njerëz kanë humbur punën, nuk janë paguar, kanë qira për të shlyer, kanë punuar në të zezë dhe nuk dinë ku të drejtohen, dikush tjetër thotë se “qenit i ka blerë varëse floriri dhe xhup 80 euro”. I dua kafshët dhe mirëkuptoj çdo blerje sado luksoze për aq kohë sa financat personale të dikujt e përballojnë, por a është momenti të flasim për këtë gjë? A nuk do ishte mirë ta trajtonim si temë lidhjen e fortë me kafshët shtëpiake andej nga shtatori për shembull?

Të kuptohemi drejt: Ne nuk kemi forcën të ndalojmë njerëzit që të jetojnë të përditshmen e tyre normale, atë të përditshme që jetonin para karantinës. Me këtë dua të them që mund të shkoni në plazh, nëse nuk rrezikoni njeri, mund të pushoni te shtëpiza e pushimeve buzë detit, mund të dilni pa leje sepse policia nuk ju ndalon e mund të bëni gjithfarë veprimesh që nuk i hyjnë në punë njeriu, por ju lutem – për hir të empatisë po flasim – mos i publikoni. E këtu nuk ka rëndësi se çfarë beson apo mendon për pandeminë, por për aq kohë sa ka njerëz që janë të sëmurë, kanë humbur të afërmit, nuk janë më në punë apo familje të tëra s’kanë të ardhura të shtyjnë muajin, është momenti që nëse nuk mund t'i ndihmoni dot, të paktën të mos i bëni të ndihen keq.

Thënë e gjitha kjo sepse ne, në fund të fundit, mbetemi një vend i varfër (e sado e madhe dhe luksoze të jetë vila e x personazhi buzë detit, të jemi të sinqertë, është sa 3/10 e oborrit të Jennifer Lopez). Sidoqoftë, në pamundësi për të ekspozuar çantat Hermès e kostumet Fendi, të mos flasim në një formë që nxjerr në pah përfitimet e të qenurit i pasur dhe i famshëm, të paktën sa s’ka mbaruar pandemia. Deri atëherë, do të vazhdoj të besoj se ka njerëz më të uritur se ata që vuajnë për bukën e gojës.