E dinit që dje ishte Dita Botërore e Lirisë së Medias? Me siguri që e keni lexuar diku. Por nëse nuk protestuam sepse sigurisht nuk kemi zë, për aq kohë sa renditemi në vendin e 84 në Indeksin Botëror të Lirisë së Medias, nga ana tjetër, si për ironi, kemi një lloj shfrenimi të frikshëm kur vjen puna te “gazetaria serioze e ci*ave”. Po të njëjtat media online, ndoshta nga më të respektuarat ne vend, që në një ditë të zakonshme supozohet të merren me problemet sociale-politike-ekonomike dhe një mori dukurish të tjera, përcjellin artikuj me tituj në dukje bombastikë, por që realisht janë thjesht të tmerrshëm.
Për ta vendosur temën në një rrafsh më konkret, pak ditë më parë, Mirela Kumbaros, teksa mbante një fjalim në Kuvend, iu zbërthye këmisha dhe gjejeni çfarë? Mirela Kumbaro – që është grua, heyy – kishte gjoks. Përpos kësaj, kishte edhe reçipeta. “Mirela Kumbaros i zbërthehet këmisha gjatë fjalimit në Kuvend”, “Video/Moment i sikletshëm, Mirela Kumbaros i zbërthehet këmisha” ishin disa nga titujt e lajmeve, të shoqëruara me foto me shigjeta e rrethime a thua se bënë zbulimin e shekullit XXI. Po atë ditë, një tjetër incident ndodhi me ministren e Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku dhe gjithçka pasoi qenë vetëm fjali të shëmtuara të tipit “Kumbaros i shpërtheu këmisha live, Balluku harroi t’i vishte [reçipetat].”
Të tillë tituj “bombastikë” – të cilët Papa Françesku me të drejtë i ka cilësuar si mëkat – janë dhunë sistematike që i bëhet figurës së vajzave dhe grave, qofshin të njohura ose jo, sepse historia ka treguar se ky fenomen i neveritshëm nuk kursen askënd. Mjafton të kërkojmë fraza si “provokon nga shtrati”, “asetet seksi”, “nuk i lë vend imagjinatës”, “i vë flakën rrjetit”, “shfaqet seksi” etj., për të kuptuar se sa përdoret lakuriqësia dhe seksizmi në media. Motori i kërkimit shfaq mbi 300,000 rezultate dhe kjo është për të ardhur keq, sepse nis që te portalet që nuk i njeh askush dhe përfundon te mediat që gëzojnë status si “serioze”.
Me të drejtë disa prej jush mund të thonë se “për aq kohë sa njerëzit i klikojnë, ç’faj kanë portalet?”, por qëllimi i medias nuk është që t’u ofrojë njerëzve çfarë duan, por çfarë u duhet. Me të drejtë disa prej jush mund të thonë gjithashtu edhe se “ka probleme më të mëdha media online” dhe unë bie dakord që për aq kohë sa nuk është e lirë, sigurisht që vështirë të ketë besueshmëri dhe cilësi në përmbajtje, por kjo nuk e justifikon përdorimin dhe promovimin e lakuriqësisë si karrem për disa klikime më tepër. Media vërtet s’është e lirë dhe duhet me patjetër të protestojë për këtë, por nga ana tjetër duhet të bëjë edhe detyrat e shtëpisë. Deri atëherë le të mjaftohet me faktin se e vetmja gjë që di të bëjë më mirë, është të konkurrojë pornografinë.