Një video ku shfaqeshin disa policë të cilët dhunonin një 15-vjeçar në zonën e Parkut të Liqenit Artificial u bë virale në rrjete sociale dhe shokoi opinionin publik. Siç mund ta shihni në videon e mëposhtme, adoleshenti dhunohet nga policia teksa përpiqet të lirohet.
Nëna e 15-vjeçarit tregoi për ABC News se i biri e ka respektuar karantinën. “Karantinën e kemi respektuar. Duke parë këtë javë, sot më kërkoi leje që të shkonte nga liqeni. Doli vetëm për të bërë xhiro me biçikletë,” tha ajo. Më tej, zonja tregoi se pasi djali u vonua, e telefonoi dhe e pyeti se ku ishte, ndërsa ai i tregoi që ndodhej në polici pasi “e kapën me biçikletë.”
Po për ABC News, 15-vjeçari, i cili dokumentoi edhe shenjat e dhunës në trup, u shpreh:
“Më thanë zbrit, unë nuk zbrita. Pasi nuk zbrita, erdhi një polic më kapi nga krahu, më gjuajti me shpullë. Më kërkuan kartën e identitet, por u thashë që nuk kam se nuk e kam mbushur moshën.”
Ai shtoi se policët e gjuajtën edhe gjatë rrugës për në komisariat teksa qëndronte i prangosur bashkë me shokun në makinë, se “po fliste shumë sepse ishte i inatosur”.
Burimet për ABC News bëjnë me dije se ka nisur hetimi ndaj tre policëve, ndërsa efektivi që shihet t’i gjuajë 15-vjeçarit do të shkarkohet.
Reagimi në rrjete sociale ka qenë i ashpër dhe siç mund ta shihni në vijim, njerëzit kërkojnë ndëshkimin e dhunës policore.