Shqipëria

Deklarata e Veliajt pas shembjes së Teatrit: 'Në fund do të harrohet zhurma'

Shkruar nga Anabel

17 Maj 2020

Deklarata e Veliajt pas shembjes së Teatrit: 'Në fund do të

Erion Veliaj, pak orë më parë reagoi përmes një video mesazhi ku komentoi shembjen e Teatrit Kombëtar, zemërimin e aktivistëve dhe ndërtimin e objektit të ri.

Kryebashkiaku e quajti ditën e sotme shumë të vështirë, por vendimin e marrë, të drejtë. Deklaratën e nisi me një historik të shkurtër rreth Teatrit, më pas renditi arsyet e shembjes së tij, duke përmendur gjithë diskutimet që janë bërë gjatë 2 vite e gjysmë.

"Sot ka qenë një ditë kur na u desh të merrnim një vendim të drejtë, por jashtëzakonisht të vështirë. Them vendim i drejtë sepse diskutimi për një teatër të ri ka qenë një diskutim prej 70 vitesh, që në momentin kur periudha e përkohshme e atyre pak viteve të luftës mbaroi, për të hapur një diskutim tjetër, çfarë do të kemi si ndërtesë permanente të Teatrit Kombëtar. Ajo ndërtesë u sajua ndër vite si për gjyqet popullore të asaj kohe, por pastaj edhe për funksione të tjera, pastaj edhe kinema, pastaj sërish teatër, pastaj bingo e sërish teatër, një ndërtesë jashtëzakonisht e amortizuar.

E filluam këtë diskutim, pra këtë round të fundit të diskutimeve të këtyre tre viteve, kur propozuam një teatër të ri me transferimin e administratës së re në Bashkinë e Tiranës. Kishim një projekt për Pazar të Ri, Bulevard të Ri, për një Breg të ri të Lumit, për një pjesë të re të Liqenit, për një Shesh të ri, një Kala të re dhe sigurisht, edhe për një Teatër të Ri, bashkë me shumë shkolla, rrugë e investime të reja, që i kanë hije Tiranës për 100 vitet e fundit."

Në fund të fjalës së tij, ai u kërkoi qytetarëve që teksa përgatiten për teatrin e ri, të nxjerrin disa mësime, duke theksuar se e gjithë "zhurma" në fund do të harrohet pasi çfarë do të mbahet mend është produkti.

"Teatri i vjetër iku, tani përgatitemi për teatrin e ri. Por teksa përgatitemi për teatrin e ri, duhet të nxjerrim disa mësime. Një ndër mësimet që duhet të nxjerrim është se duhet të bashkëpunojmë; duhet të bashkëpunojmë ta përmirësojmë këtë ide. Kemi disa ide shumë të mira që e kanë pasuruar projektin nga artistët, por unë besoj se mund të bëjmë akoma më mirë.

Sot dua t’i shtrij dorën kujtdo që nuk ishte dakord me ne në këtë betejë; kujtdo që ndoshta, edhe pse s’e ka ekspertizën inxhinierike, edhe pse s’e ka ekspertizën ligjore për të kuptuar si funksionojnë këto procese, apo ndoshta as njohurinë bazë që, jo vetëm që nuk ishte kurrë monument, por që në 2018 ishte i rrezikuar, dhe siç u pa sot pas prishjes, ishte i gjithë populit, tallash, teneqe. Nuk pamë një kollonë betoni, një armaturë, një gram çelik. Ajo ndërtesë ishte realisht e rrezikshme dhe nuk mund të jetë ndërtesa për të çuar fëmijët e këtij qyteti në 100 vitet e ardhshme. Nuk mund të vazhdohet të shkohet me batanije në dimër apo me peshqirë, qull në djersë në verë. Na duhet një teatër modern."

Fjalimin e plotë të kryebashkiakut mund ta dëgjoni këtu: