Dhuna që policia ushtroi ndaj një 15-vjeçari në Parkun e Liqenit në Tiranë ka marrë të tjera përmasa. Në një lidhje me disa deputetë, kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, foli në lidhje me situatën e rëndë.
“Jo se dua të marr në mbrojtje punonjësit e policisë. Punonjësit e policicë, në një moment të caktuar, kanë kapërcim të tërë kompetencës dhe punonjësi i policisë që ka konsumuar këtë veprim është pezulluar, ka fituar hetimi disiplinor dhe një hetim penal nga SHÇBA-ja.” – tha ai gjatë komunikimit.
Në vijim, Veliu shtoi se ka rëndësi edhe “se çfarë përfaqëson ky djalë” duke u ndalur te familja e tij. Ai vendos në pikëpyetje faktin se djali mund të mos i jetë bindur policisë dhe sipas tij, çka e vërteton edhe më shumë këtë, është familja e djalit, saktësisht e ëma.
“Por më besoni që nëse do ta shikojmë nga fillimi në fund se çfarë përfaqëson ky djali, a i është bindur me të vërtetë thirrjeve të policisë djali, siç pretendon mamaja e tij? Më lejoni që t’ju shfaq një video të mamasë së tij dhe të besoni se nga çfarë familje vjen ky fëmijë dhe pastaj të gjykoni vetë.”
Në video, e ëma e 15-vjeçarit, Zaida Çobo, ish-banore e Big Brother, shfaqet me pistoletë në dorë dhe duket se kërcënon një njeri tjetër. Ndër të tjera, Veliu – duke theksuar vazhdimisht se “nuk do të justifikojë policinë” thotë:
“Jua tregova këtë video për të treguar sa i edukuar është ky fëmijë, nga çfarë familjeje vjen, sa i është bindur thirrjeve të policisë dhe tek e fundit policia si gjithmonë bëhet viktimë. Ai djali është...pavarësisht moshës…është djali që…nuk dua, nuk dua të justifikoj më. Po ju flas shumë hapur. Jo se dua të mbroj policinë. Unë e kam detyrë që të mbroj policinë, ashtu siç kam edhe përgjegjësi që të marr përgjegjësi në rast se punonjësit e mi gabojmë. Por duhet të jemi të ftohtë dhe realistë në gjykim.”
Në fakt, videoja – e cila u përdor nga Veliu për të nxjerrë në pah familjen problematike të 15-vjeçarit, a thua se kjo e justifikon dhunën – është shkëputur nga xhirimet e një filmi. Pamjet janë publikuar në profilin Zaida Çobos në Facebook dhe janë pjesë e “Dashuria s’mjafton” të Drilon Hoxhës, ku Çobo ka pasur një rol.