Shqipëria

Çfarë po bëhet gabim në trajtimin mediatik të përdhunimit të 15-vjeçares

Shkruar nga Anabel

3 Qershor 2020

Çfarë po bëhet gabim në trajtimin mediatik të

Rasti i rëndë i abuzimit seksual ndaj një vajze të mitur 15 vjeç ka marrë vëmendje të madhe në median e shkruar, portalet online dhe mediat audiovizive. Megjithatë, pavarësisht interesit dhe shqetësimit të qytetarëve mbi rastin në fjalë dhe fenomene të ngjashme në përgjithësi, diçka po bëhet gabim.

Në një deklaratë të përbashkët, Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës (ASHDMF) dhe Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) theksuan se “janë të shqetësuar për mënyrën se si këto raste janë raportuar në media.”

“Mediat e shkruara, portalet online, por edhe mediat audiovizive kanë paraqitur rastet me detaje, kanë intervistuar të afërm të fëmijës, duke bërë të mundur identifikimin e fëmijëve viktima të abuzimit. Gjithashtu, mediat ka publikuar detaje nga banesa, zonës administrative, qytetit ku ka ndodhur ngjarja, me pasojë identifikimin e mundshëm të fëmijë.”

Në deklaratë thuhet se “publikimi i këtyre të dhënave është në shkelje të parimeve ndërkombëtare dhe legjislacionit shqiptar”.

“Parimet bazë që mediat duhet të njohin dhe respektojnë, bazuar në legjislacionet kombëtare dhe ndërkombëtare shprehin qartë mbrojtjen që gëzojnë fëmijët në media. Nga parimi kryesor që është interesi më i lartë i fëmijës, burojnë parime të tjera për mosdiskriminim, respektimi i jetës private, familjare, banesës, e korrespondencës, mbrojtja e moralit dhe e dinjitetit të fëmijës. Mediat kanë për detyrë të respektojnë etikën, sidomos kur ato transmetojnë lajme që kanë të bëjnë me fëmijët. Në çdo publikim, media duhet të konsiderojë mbrojtjen e interesit të fëmijës para çdo interesi tjetër. Transmetimi i figurës apo detajeve mbi ngjarjen që e bëjnë lehtësisht të mundshëm identifikimin e plotë të të fëmijës viktimë, janë në kundërshtim të plotë me parimet kryesore që media duhet të respektojë.”

Altin Hazizaj, një nga themeluesit e Qendrës për Mbrojtjen për të Drejtat e Fëmijëve, e cila bashkëpunon me ECPAT – rrjet global organizatash që ka si qëllim të luftojë ndër të tjera shfrytëzimin seksual të fëmijëve – kritikoi ashpër emisionin “Me zemër të hapur”, që realizoi intervistë në studio me babai dhe vëllain e 15-vjeçares si edhe drejtorin e shkollës.

“Kjo nuk është GAZETARI! Kjo është tallje dhe nëpërkëmbje e jetës së një 15-vjeçareje. E turpshme që të bësh famë me jetën e njerëzve të pambrojtur dhe për më tepër viktima të dhunës seksuale!” – tha ai ndër të tjera.

komunikimin e përbashkët, edhe UNICEF Albania dhe UN Women vendosën në vëmendje trajtimin mediatik të rasteve të tilla:

“Ne gjithashtu i bëjmë thirrje mediave që të ndalojnë raportimin e detajeve që zbulojnë identitetin e të mbijetuarave dhe familjeve të tyre. Informacioni që ndahet me publikun duhet të ndihmojë në zhdukjen e kulturës së dhunës seksuale dhe media duhet të përdorë fuqinë e saj për të mbështetur plotësisht të mbijetuarat, jo autorët e krimit.”