TV Mania

Adriana rrëfen publikisht historitë tronditëse të abuzimit seksual që prej moshës 12-vjeçare

Shkruar nga Anabel

6 Qershor 2020

Adriana rrëfen publikisht historitë tronditëse të abuzimit

Historia shokuese e Adrianës, e cila u përdhunua fillimisht nga roja i jetimores në Shkodër dhe më pas u ngacmua seksualisht nga polici ku kërkoi ndihmë, mori vëmendje mediatike. Sot (e shtunë, 6 qershor) historia e plotë u transmetua publikisht në “Dua të të bëj të lumtur”. Adriana rrëfeu me zë dhe figurë gjithë kalvarin e dhimbjeve dhe abuzimeve seksuale, të cilat nisën që në moshën 12-vjeçare.

“Po kthehesha nga shkolla dhe roja nuk më tha asgjë. Më kapi nga flokët dhe më futi në një shtëpi dhe abuzoi seksualisht. Isha 12 vjeç. Kam bërtitur, por s’munda ta ndaloja. Isha e pafuqishme. Askush nuk mori masa, thjesht e hoqën nga puna.”

Gjatë rrëfimit të saj, Adriana tha se abuzimet vazhduan .

“Vazhdoi dhuna dhe vazhduan abuzimet edhe nga fëmijët e rritur. I mësonin kujdestarët, që nëse Adriana nuk sillet mirë, do t’i bësh të njëjtën gjë. Një mësues i fesë islame abuzonte me ne. Na thoshte që çfarë do t’i bënte fëmijës së parë, do të na i bënte të gjithëve. Dhe abuzonte me ne. Na fuste në bodrum dhe atje kishte minj. Ne ishim fëmijë, trembeshim. Na rrihnin kur nuk bindeshim, nuk mundeshim të kërkonim ndihmë. Janë hakmarrë kundër meje. Më kanë bërë shumë të këqija. Edhe sot i shoh në ëndrra. S’di si ta shpreh.”

Adriana kërkoi ndihmë në polici vite më parë, por edhe polici e ngacmoi seksualisht.

“Abuzoheshim të gjithë. Në 2016-n mora guximin. Akoma ekziston ky fenomen në jetimore. Kam dëshmi dhe ja kam thënë policisë, por më kanë pyetur ku jam rritur dhe më kanë thënë që të iki.”

Adriana tregoi se edhe pse ka frikë, vendosi që të flasë publikisht për këtë fenomen:

“Nuk e di as vetë si po arrij ta them. Thoja që do ta merrja me veten në varr. Ka ardhur koha që ato që janë rritur si unë, të kërkojnë ndihmë. Te shteti. Te media. Të mos heshtin më. Nuk është koha për të heshtur më. Kam folur me fëmijë të tjerë, por kanë frikë nga kërcënimet.”

Gjatë rrëfimit, Adriana shtoi se pasi e ëma, të cilën e takoi pas kaq shumë vitesh, e mohoi si fëmijën e saj, u detyrua të kthehej në Shkodër dhe të jetonte në konviktin për vajzat e jetimores. Aty filloi sërish historia e abuzimeve.

“Shumë gjëra të këqija më kanë ndodhur nga vajzat që ishin rritur me mua në jetimore. Ishin më të mëdha se unë. Ato u kthyen në tutore. Fusnin njerëz që të abuzonin me mua. Nëse nuk kryeja shumën [e lekëve] që më kërkonin, rrihesha dhe përfundoja e gjakosur. Askush nuk kujdesej për ne, sepse ishim në moshë madhore dhe na thonin që t’i dilnim zot vetes. Kam qëndruar atje deri në vitin 2013. Vajza që jetoja në dhomë vdiq në aksident. Unë mendoj se e vranë dhe asokohe kisha frikë dhe ika.”

Sikur të mos mjaftonin këto në jetën e Adrianës, ajo u trafikua edhe në Kosovë dhe më pas u rehabilitua në një qendër për viktimat e trafikimit. Pasi qendra e rehabilitimit komunikoi me një qendër në Shqipëri, Adriana takoi Alidën, psikologen e cila e ndihmoi të rikuperonte traumat.

“Shpeshherë kam tentuar të vras veten, por falë saj jam këtu. Nuk kam emocione, kam pak frikë, por jo emocione.”

Adriana tregoi mes lotëve se e ka të vështirë të gjejë punë sepse e paragjykojnë nga stili i të veshurit.

“Nuk bëj asgjë. Jam e papunë sepse njerëzit paragjykojnë, nga veshja dhe stili im mashkullor. Kam kërkuar kamariere dhe s’më kanë pranuar. Jetoj në një shtëpi me qira me një vajzë, e cila më ndihmon me qiranë sepse unë nuk kam.”

Ndërkohë shefi i policisë së Fushë-Arrëzit, Izmir Duraku, është lënë i lirë pas arrestimit, pasi sipas prokurorisë nuk ka prova të mjaftueshme që ta shpallin fajtor. Në "Dua të të bëj të lumtur", Adriana rrëfeu se ai i ofroi 200 lekë dhe e urdhëroi të zhvishej. Adriana u largua me shpejtësi dhe më pas i ra të fikët. Kur u zgjua, e gjeti veten në spital.

Gjatë gjithë rrëfimit, Adriana shprehej vazhdimisht se fenomene të tilla duhen denoncuar dhe u dha kurajë të gjithë njerëzve që kanë përjetuar të njëjtat trauma si ajo që të mos heshtin më.

“Dua të të bëj të lumtur”, përmes sponsorëve, arriti t’i siguronte Adrianës një pension mujor për një kohë të gjatë.