Celebrity

Autorja e ‘Harry Potter’ kritikohet ashpër pas komenteve transfobike

Shkruar nga Anabel

7 Qershor 2020

Autorja e ‘Harry Potter’ kritikohet ashpër pas komenteve

Autorja e “Harry Potter”, J.K. Rowling, po përballet me një numër të lartë kritikash pas disa komenteve, të cilat u cilësuan si transfobike. Rowling komentoi së fundmi një artikull të Devex, një platformë mediatike për komunitetet globale në zhvillim, me titull “Opinion: Të krijuarit e një bote më të mirë post-Covid-19 për njerëzit që kanë menstruacione”.

Në Twitter, Rowling tha: “Njerëz që kanë menstruacione. Jam e sigurt që ka një fjalë për këta njerëz.” Më pas, ajo shtoi “Wumben? Wimpund? Woomud?” që ngjason si belbëzime për të thënë “women” (gra).

Njerëzit në Twitter e cilësuan këtë koment si “transfobik” sepse edhe personat transgjinorë dhe njerëzit që nuk kanë një identitet gjinor mund të kenë menstruacione. Rowling nga ana tjetër kritikoi idenë se “sensi biologjik i dikujt nuk është i vërtetë”.

Rowling i referohet seksit si tërësia e tipareve biologjike që dallojnë mashkullin nga femra, por identiteti gjinor është koncept tjetër. Me fjalë më të thjeshta, një individ mund të jetë biologjikisht femër, por nuk ndihet grua ose nuk dëshiron të identifikohet si grua.

“Nëse seksi nuk ekziston, nuk ka tërheqje brenda të njëjtit seks. I njoh dhe i dua personat transgjinorë, por fshirja e konceptit të seksit heq aftësinë e njerëzve për të diskutuar mbi jetën e tyre. Nuk është urrejtje që të flasim për të vërtetën,” tha ajo.

Në vijim tha: “Unë respktoj të drejtën e çdo personi transgjinor për të jetuar jetën në mënyrën që e bën të ndihet autentik dhe rehat me veten. Do të marshoja me ju nëse diskriminoheni se jeni transgjinorë. Në të njëjtën kohë, jeta ime ka qenë e formësuar duke qenë femër. Nuk besoj se është urrejtje të thuash diçka të tillë.”

GLAAD, një organizatë për të drejtat e LGBTQ, u shpreh se “shkrimtarja ka një ideologji që shtrembëron faktet për identitetin gjinor dhe njerëzit trans. Në vitin 2020 nuk ka justifikime për të targetuar transgjinorët.”

Rowling është kritikuar edhe më parë për mendime të ngjashme. Në dhjetor, ajo mbështeti një studiuese e cila humbi punën sepse tha se një individ nuk mund ta ndryshojë seksin biologjik. Asokohe, GLAAD tha:

“J.K. Rowling, librat e tu u dhanë fëmijëve shpresë se mund të punonim bashkë për një botë më të mirë, ndërsa tani mbështet një ideologji anti-shkencore që mohon të drejtat e transgjinorëve”.

Burimi: Variety