Aktorë dhe figura të njohura të Bollywood-it kanë dënuar ashpër racizmin dhe kanë folur publikisht për të mbrojtur protestuesit në SHBA, mirëpo nga ana tjetër janë ironizuar nga ndjekësit referuar promovimeve të produkteve që zbardhin lëkurën, një fenomen i njohur ky në Bollywood.
Aktorja Disha Patani shkroi “të gjitha ngjyrat janë të bukura”, postim në Twitter i cili u pasua nga shumë komente që i vendosën në dukje Patani-s se ajo ka promovuar produkte që kanë si qëllim zbardhjen e lëkurës.
Priyanka Chopra, e cila gjithashtu ka promovuar kremra për zbardhje, u përball me një mori kritikash pasi postoi një foto me mbishkrim “të lutem, nuk marr dot frymë”, fjalët e fundit të George Floyd teksa mbahej i shtrirë nga polici në Minneapolis.
Një ndjekës i vuri në dukje Priyanka-s se “askush nuk ka nevojë për reagimin e saj”, duke iu referuar komenteve për Kashmirin dhe jo vetëm. Vjet, Priyanka u kritikua ashpër pasi mbështeti publikisht qeverinë indiane dhe forcat e armatosura për shfuqizimin e statusit autonom për Kashmirin, një shtet që ka sjellë përplasje mes Indisë dhe Pakistanit. Gjithashtu në dasmën e saj me Nick Jonas ishte i ftuar edhe kryeministri nacionalist i Indisë, Narendra Modi.
Kremrat për zbardhje të lëkurës nuk janë produkte të panjohura në Bollywood, pasi përdoren gjerësisht. Në Twitter, njerëzit i kanë cilësuar këta aktorë si “hipokritë” dhe të tjerë vendosën në diskutim racizmin brenda industrisë së Bollywood-it, duke thënë se “në Bollywood është i përhapur më shumë racizmi” në krahasim me gjithë Indinë. “Harroje të jesh një yll nëse ke lëkurë të errët,” shkruan dikush.