Trajtimi i rastit të Adrianës në “Dua të të bëj të lumtur” shkaktoi një reagim të ashpër qytetar për vetë faktin që abuzimi, siç pretendohet nga Adriana, ndodhi në institucione shtetërore. Megjithatë nuk qenë të paktë njerëzit që kundërshtuan trajtimin e rastit të saj dhe të shumë vajzave të tjera në televizion, për shumë arsye, të cilat po i trajtojmë në fillim.
Një nga njerëzit që u shpreh se “media po luan joprofesionalisht dhe rrezikshëm” qe Sevim Arbana, një aktiviste e të drejtave të grave. Në Facebook-un e saj personal, Sevim Arbana tha:
“Është fjala për emisionin ‘Dua të të bëj të lumtur’ (Top Channel) ku u dha rrëfimi për dhunë dhe abuzim seksual në një jetimore në Shkodër. Vajza 27-vjeçare rrëfen kalvarin e tmerreve dhe abuzimeve në këtë qendër shtetërore. Përse unë në këtë rast anatemoj median.”
Në vijim, Arbana rendit pesë arsye pse trajtimi i rastit lë për të dëshiruar:
“Së pari, në këtë emision, me zë e figurë, shfaqet një vajzë, 27 vjeçare, e rritur jetime, që do të thotë: me pak përkrahje dhe në kushte të rënda socio-ekonomike. Asnjë mbrojtje për të dhënat e saj personale, duke filluar nga fytyra, identitete të tjera, që rrezikojne atë të bëhet pre e hakmarrjes së abuzuesve, familjarëve të tyre, ose më tej. Deri kur media do t? aplikojë këtë formë, kur tashmë dihet që çdo viktimë, sipas rregullave dhe AMA, nxirret pa fytyrë dhe i fshihen identitetet?
2. Para rrëfimit të k?saj historie (dhe te tjera te nje shkalle kaq te rënde) gazetari duhet të konfirmojë përmes organeve kompetente, dëshmitarëve, mësuesve, komunitetit etj., nëse dëshmitë janë të sakta, të vërteta apo ka ndonjë gjë tjetër në këto dëshmi.
3. Akuza ndaj personave me emër, me familje, mësuesve të një qendre etj., duhet të jetë e sigurt dhe me prova, para se kjo të bëhet publike. Ky rast dhe jo vetëm krijon precedentin e rrezikshëm të akuzave pa baza, ndaj çdo njeriu, i cili për shkak të detyrës, misionit, biznesit, ka armiq dhe kundërshtarë. Dhe aq më tepër, të zbulimit të vërtetës dhe fenomenit.
4. Në dijeninë time, përpara emisionit, persona dëshmitarë në këtë ngjarje kanë telefonuar drejtuesen e emisionit dhe kanë dhënë disa dhëshmi që nuk vërtetojnë plotësisht rrëfimin e viktimës.
5. Së fundmi, po pas këtij emisioni, a i është dhënë mbrojtja e duhur vajzës që rrëfen këtë tmerr? Nga kush? Nga gazetarja, organet shtetërore, policia, prokuroria?”
Nisur nga komentet, të shumtë janë njerëzit që bien dakord me mendimin e mësipërm.
Përsa i përket pikës së fundit në lidhje me mbrojtjen e Adrianës, fill pas kundërshtimit që patën disa njerëz në lidhje me transmetimin e rastit të saj, Arbana u shpreh në Instagram se “programi ka kontaktuar instancat më të larta që ajo të marrë mbrojtje."
Natyrshëm lind pyetja: Nëse po e marrim si të mirëqenë faktin që Adriana ka marrë mbrojtjen e organeve kompetente, ku qëndron problemi?
Adriana tregoi versionin e saj të ngjarjeve që përjetoi në jetimoren e Shkodrës, një institucion shtetëror. Në program, u dha vetëm rrëfimi i 27-vjeçares ndërkohë që munguan intervistat me mësues, punonjës, ish-punonjës të institucionit përkatës. Ajo përmendi edhe shefin e policisë në Fushë-Arrëz si ngacmues seksual, i cili u arrestua dhe më pas u lirua për mungesë provash.
Në “Kodin e Transmetimit”, Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) thekson se “trajtimi i ngjarjeve, përfshirë çështjet që janë tema të debatit publik, të jetë i drejtë për të gjitha subjektet e interesuara në këto çështje dhe të paraqitet në mënyrë objektive e të paanshme”.
Po të njëjtin parim thekson edhe “Kodi i etikës së gazetarit”, i hartuar si një projekt i përbashkët i Bashkimit Europian, Këshillit të Europës dhe Këshillit Shqiptar të Medias. Në kapitullin “Saktësia dhe ndershmëria e informacionit” thuhet se “gazetarët kanë të drejtën të kërkojnë informacion dhe të drejtën të kenë akses në informacionin publik”.
Në këtë kod, i jepet rëndësi saktësisë dhe qëndrimit të paanshëm duke siguruar një mori të dhënash nga palë të interesuara që mund të ofrojnë informacion të bollshëm dhe të rëndësishëm. Në rastet kur nuk është bërë e mundur konfirmimi i informacioneve, media duhet ta bëjë të qartë një gjë të tillë.
Çfarë e bën më problematike situatën është fakti që Adriana, pavarësisht përmirësimit të gjendjes së saj nisur nga terapitë me psikologen, nuk është ende një individ që e ka rikuperuar traumën për të cilën tregoi në studio. Mund të mos ndodhë kështu, mirëpo nuk përjashtohet mundësia që 27-vjeçarja të jetë e rrezikuar nga hakmarrja ose kërcënimet e personave që akuzoi publikisht. Referuar rrëfimit në “Dua të të bëj të lumtur”, Adriana tha se “nuk ka emocione, por ka frikë”.
Duhet theksuar se ky nuk është një rast i kufizuar. Pak ditë më parë, “Me zemër të hapur” transmetoi në emision videon e përdhunimit të 15-vjeçares nga roja i shkollës, përpara teleshikuesve dhe familjarëve, gjë që përbën shkelje të rëndë të privatësisë, aq më tepër që bëhet fjalë për një të mitur, viktimë e dhunës seksuale e cila është ende e traumatizuar.
Një psikologe, e cila preferoi të mbetej anonime, u shpreh për Anabel.al, nisur nga rasti i programit "Me zemër të hapur", se roli i medias në të tilla ngjarje është krejt tjetër.
“Media duke pasqyruar rastin me detaje identifikuese, duke ekspozuar familjarët, duke e trajtuar joprofesionalisht ngjarjen, nuk kontribuon aspak në favor të kauzës. Si mund të ndihmohet një vajzë tjetër që ka përjetuar të njëjtën situatë nëse sheh si trajtohet ngjarja në media. Media duhet të informojë se çfarë është dhuna seksuale, të sensibilizojë njerëzit që të mos fajësojnë viktimën, të tregojë shërbimet që ofrohen për viktimat etj. Emisione të tilla nuk lehtësojnë situatën, përkundrazi e përkeqësojnë.”
Të tilla ngjarje po vendosin në pikëpyetje se sa i rrezikshëm mund të jetë trajtimi mediatik i situatave të tilla, të cilat shkojnë përtej një programi dreke apo primetime, për sa kohë përfshihen edhe individë të tjerë, mes tyre institucione shtetërore. Më tepër sesa “a duhet të trajtohen?” ka rëndësi “kur duhet të trajtohen dhe si?”, pyetje që gjen përgjigje te burimet e shumta të informacionit, intervistat me palët e përfshira dhe të përmendura, ruajtja e privatësisë, transmetimi vetëm i rasteve të të mbijetuarve të dhunës seksuale (që kanë rikuperuar traumat dhe nuk u rrezikohet siguria/jeta nga palë të dyta e të treta) si edhe paanshmëria e dhënies së informacionit.