Deklaratat dhe pretendimet e Antonjeta Peros që mendohet se ushtron profesionin e psikologes në Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër ngritën pikëpyetje për faktin që si dikush mund të ushtrojë këtë profesion pa qenë i licensuar, informacion ky i konfirmuar nga Urdhri i Psikologut të qarkut Shkodër dhe lehtësisht i verifikueshëm në faqen zyrtare të UP.
Në dispozitën e përgjithshme të Urdhrit të Psikologut, në “Kriteret e anëtarësisë” thuhet se “asnjë individ nuk mund të ushtrojë profesionin e psikologut, në sistemin publik apo privat në Republikën e Shqipërisë, pa qenë anëtar i Urdhrit të Psikologut dhe pa qenë i pajisur me licencën për ushtrimin individual të profesionit të lëshuar nga ky organizëm.”
Që të gëzojë të drejtën e ushtrimit të profesionit të psikologut duhet që një individ të ketë diplomën e studimeve të larta “Bachelor” dhe “Master shkencor” ose “Master profesional” në psikologji ose ekuivalent me të, sipas legjislacionit në fuqi për arsimin e lartë, lëshuar nga institucioni i arsimit të lartë, brenda apo jashtë vendit, të njohura nga ministria përgjegjëse për arsimin".
Referuar të dhënave në Facebook, Pero ka shërbyes si ish-drejtoreshë ekzekutive në një organizatë joqeveritare, ka studiuar në “universitetin e mësuesisë” (kështu shkruhet, është e paqartë se për çfarë fakulteti bëhet fjalë) dhe ka studiuar për “psikologji dhe punë sociale”. Gjatë deklaratave në media, ajo i referohet fëmijëve si “nxënës”, çka e bën të paqartë nëse vërtet ka mbaruar studimet e larta në nivelin Bachelor dhe Master për psikologji, por në mungesë të fakteve, një gjë të tillë po e marrim si të mirëqenë.
Natyrshëm lind pyetja nëse një psikolog mund të ushtrojë profesionin pa licensë, në këtë rast në një institucion publik, dhe nëse po, me çfarë kushtesh?
Anabel.al kontaktoi me Dr.Valbona Treskën, presidente e Urdhrit të Psikologut. Ajo shpjegoi për Anabel.al se “ka rëndësi faza e licensimit”. “Nëse një psikolog është në fazat e fundit të procesit të licensimit mund të bëjë kërkesë që të ushtrojë profesionin, por gjithmonë nën mbikqyerjen e një psikologu të licensuar”.
Megjithatë në këtë pikë ka një tjetër çështje me rëndësi, shpjegoi Dr. Valbona Treska, pasi Antonjeta Pero nuk është anëtare e Urdhrit të Psikologut, çka i heq kategorikisht të drejtën të ushtrojë profesionin. Që një psikolog të kërkojë licensën, duhet që paraprakisht të jetë i anëtarësuar dhe Pero nuk rezulton në regjistrin e anëtarësimeve.