Pas provimit të letërsisë dhe gjuhës shqipe, i cili u konsiderua nga maturantët si si i vështirë dhe jo i organizuar sipas planeve të publikuara më parë nga Ministria e Arsimit, ata organizuan sot (12 qershor) një protestë përpara ministrisë.
Maturantët kërkojnë rivlerësim të provimit dhe mosmarrjen në konsideratë të pyetjeve jashtë programit. “Ky provim na kushton shkollën,” thanë ata ndër të tjera.
Ndërkohë ministrja e Arsimit, Besa Shahini, reagoi në Facebook dhe e konsideroi protestën e maturantëve si të nxitur nga opozita.
“Ndoqa me keqardhje protestën pranë ndërtesës së Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë. Nuk besoj të ketë ndodhur ndokund tjetër që nxënësit të protestojnë për "provimet e vështira"! Megjithatë, keqardhja për nxënësit "protestues" më vjen bashkë me revoltën ndaj nxitësve të tyre! Fatkeqësisht, nxitësit janë publikisht të afishuar dhe nuk janë zëdhënës opinionesh dosido. Ata janë opozita politike e vendit! Që është një absurditet unik: opozita nxit dhe mbështet protestë kundër testeve kombëtare!!! Opozita stimulon "lehtësimin" e dhënies së notave për nxënësit!!! Po mbase këtu s'ka asgjë të re, përderisa kjo opozitë ishte dje qeveria e notave fallco, diplomave fallco, universiteteve fallco, provimeve fallco, promovimeve fallco.”
Në vijim të reagimit të saj, Shahini u shpreh se provimet hartohen nga ekspertë, të cilëve ajo u beson plotësisht.
“Provimet Kombëtare hartohen nga ekspertë provimesh. Unë i besoj Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA) kur thotë se sivjet provimet janë më të lehta se kurdoherë më parë sepse ndodhin pas një gjendjeje të jashtëzakonshme dhe prandaj janë konceptuar vetëm me alternativa - PA TEMAT që janë zhvilluar në kushte shtëpie. Dhe kjo, vërtetohet lehtësisht në fund, kur të mblidhen të gjitha rezultatet dhe nëse rastis që testi të ketë qenë më i vështirë se sa njohuritë e nxënësve, atëherë QSHA BËN RISHPËRNDARJE TË PESHËS SË PIKËVE PËR ÇDO NOTË. Por, këto çështje teknike s’kanë as lidhje e as vend për debate politike dhe jo më për protesta opozitare.”