Drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore, Rezana Vrapi, në një deklaratë për mediat (via Panorama) refuzoi kërkesën e maturantëve për rishikim të testit të letërsisë dhe gjuhës shqipe. Ajo u shpreh se testimi nuk ka asnjë gabim dhe është hartuar duke u bazuar te të gjitha protokollet e përcaktuara.
“Jam informuar për reagimin e disa maturantëve dhe pretendimi i tyre i parë qëndron për pyetje jashtë programit në test. Bëj me dije se asnjë pyetje nuk është jashtë programit orientues. Ne i kemi verifikuar një më një dhe ky pretendim nuk qëndron. Mënyrat si ndërtohen testet kanë një procedurë rreptësisht të ndjekur, nuk janë teste që bëhen për një ditë. Një nga veçoritë e këtij procesi është ndërtimi i niveleve të vështirësisë së testit, ne ndjekim procedurat të përcaktuara në metodologjinë tonë.”
Në vijim, shtoi:
“Të gjitha këto kompetenca janë të përcaktuara në programin orientues. Ka një ekip që ndërton pyetjet dhe një ekip verifikues, pra teza kalon në dy duar. Prandaj nëse kanë pretendime për pyetje konkrete, se deri tani nuk kanë pyetje konkrete. Duke qenë që jemi në një periudhe pandemie, provimet korrigjohen nga një numër i madh mësuesish që qëndrojnë afër njëri-tjetrit dhe u zgjodh të ishin pyetje me alternativa për ta lehtësuar këtë, vetëm për këtë vit. Dhe pyetjet me alternativa janë më të mira.”
Vrapi u shpreh se “nuk vlerësojnë aftësitë krijuese, prandaj u hoqën pyetjet me zhvillim dhe eseja”.
“Në përfundim të gjithë procesit, kur ne korrigjojmë teste e maturantëve, ne shikojmë kurbën e shpërndarjes dhe nëse do ketë një arsye për të rishikuar pjesën e shpërndarjes së pikëve, patjetër që kjo do bëhet. Do bëjmë analizën dhe pastaj shpalljen e rezultateve. Nuk do ketë rivlerësim sepse testi nuk kishte probleme shkencore. Kur të shpallim rezultatet do bëjmë edhe shpalljen e secilit variant që nxënësit kanë pasur. Për sistemin e pikëve do bëhet analiza në fund të daljes së rezultateve, në lidhje me rishikimin e testitit nuk shoh asnjë arsye për shkak të procedurës që ne ndjekim hartimi i testit ka protokolle shumë të përcaktuara.”
“Nëse ka mësues që kanë këto pretendime të ulemi, por nuk i ndjek akuzat në rrjetet sociale. Kushdo të vijë në mënyrë zyrtare të ulet me ekipin, të shikojmë testin dhe pretendimet e secilës palë. Ju them me bindje se testi nuk ka asnjë gabim,” përfundoi Vrapi.