Eja shohim pak Tv

She’s On Top: Sa shokuese është kjo bisedë vetëm 40-sekondëshe

Shkruar nga Sindi Salaj

16 Qershor 2020

She’s On Top: Sa shokuese është kjo bisedë vetëm

Në vetëm 40 sekonda të episodit të dytë të “She’s On Top”, rubrikës më të re në “E diell”, ndodhin kaq shumë gjëra sa vështirë të besohet se një debat i tillë po ndodh vërtet në 2020, në media, pikërisht gjatë LGBTQ+ Pride Month.

Mes një kakofonie tingujsh, vajzat e rubrikës diskutojnë me tone të ashpra dhe është pak e vështirë të kuptohet se për çfarë po debatojnë konkretisht, por në një moment debati ndalet te ndërhyrjet estetike. Një prej vajzave i drejtohet një tjetre – e cila ka pranuar ndërhyrjet estetike – dhe i thotë se “vetëm ajo nuk është femër”. Më tej, thotë se “është person i dygjinishëm” që “ka humbur origjinalitetin” për shkak të operacioneve. Pas kësaj, një tjetër vajzë shprehet se “s’mund t’i thuash në një mënyrë trans dikujt tjetër se ka dashur të bëjë operacione”.

Më tepër sesa fakti që flitet për ndërhyrjet estetike dhe tentohet të promovohet “e bukura natyrale” (që heyyy, është thjesht fat njerëz) të bën përshtypje se në të gjitha rastet termat si “dygjini” dhe “trans” përdoren me konotacion negativ. Me fjalë të tjera, me aq sa mund ta zbërthejmë debatin aspak konstruktiv, një person i dygjinishëm (që nuk është transgjinor, por këtë do ta shpjegojmë në vijim) ngjan “edhe si burrë edhe si grua”.

Problemi i parë i këtij sherri, sepse vështirë të quhet debat – pa marrë parasysh që flitet për ndërhyrje estetike dhe trajtohen sikur nuk janë vendime personale – është se asnjë prej palëve nuk kupton dallimin “seks” dhe “gjini”.

Përgjithësisht na është thënë që njerëzit ndahen në dy sekse: mashkull dhe femër dhe çfarë bën dallimin mes tyre janë organet gjenitale – penis dhe vaginë – dhe të gjitha karakteristikat kryesore dhe dytësore të kësaj ndarjeje, ndonëse lind nevoja të shtojmë edhe ekzistencën e individëve interseksualë, që kanë karakteristika specifike të zhvillimit seksual që i bëjnë të mos kategorizohen si “mashkull” ose femër”.

Pra, fjalia “vetëm ti nuk je femër”, mund të jetë fakt dhe jo ofendim i kamufluar me nota ofendimi, për sa kohë askush nuk e di se çfarë ka dikush nën pantallona. Këtu mbërrijmë te koncepti i gjinisë.

Tradicionalisht, na është thënë që ka dy gjini: burrë dhe grua. Dy gjinitë supozohet të përcaktohen në lindje. Disa njerëz lindin femra dhe janë vajza/gra dhe të tjerë lindin meshkuj dhe janë djem/burra. Në fakt po, por jo gjithmonë!

Disa njerëz e identifikojnë veten si burrë dhe grua. Të tjerë thonë se ndihen edhe burrë edhe si grua, ndërsa ka edhe nga ata që nuk identifikohen me asnjë gjini. Një person transgjinor mund të jetë i seksit mashkull, por kjo nuk e bën atë “burrë” për aq kohë sa nuk e përcakton veten si të tillë. Dallimin mes seksit dhe gjinisë e kanë bërë njerëz më të zgjuar se ne duke thënë se “gjinia është në tru” dhe “seksi te pantallonat”. Gjinia dhe seksi nuk përputhen gjithmonë.

Pra, një njeri është i dygjinishëm sepse ndihet si burrë dhe grua njëkohësisht dhe jo sepse – siç u tha në “She’s On Top” – “duket edhe si mashkull edhe si femër”.

Siç e thamë edhe më sipër, çfarë e bën akoma më tragjik këtë përplasje, është fakti që termat përdoren me konotacion negativ, trajtohen si ofendim dhe “e metë” e dikujt. Vetë titulli i videos së emisionit është vendosur “Ti je trans! Ndizen gjakrat dhe debatet mes vajzave në She’s On Top”. Në një kohë kur në botë po promovohet LGBTQ+ Pride Month – muaj gjatë të cilit synohet ndërgjegjësimi i shoqërisë ndaj të drejtave dhe mënyrës së trajtimit të anëtarëve të LGBTQ – te ne vijohet me tendencën për të përforcuar, me ose pa qëllim, stereotipe jashtëzakonisht të gabuara që nuk ushqejnë asnjë të mirë ndaj një komuniteti që historikisht është përballur me probleme.