BTS dhe Big Hit Entertainment janë bërë bashkë për të dhuruar $1 milion për të ndihmuar ekipet e koncerteve të cilët janë dëmtuar ekonomikisht për shkak të pandemisë.
Grupi korean dhe kompania e tyre e menaxhimit e ka bërë donacionin në fushatën e bamirësisë ‘Crew Nation’, që ndihmon të gjithë ata që kanë mbetur të papunë prej eventeve të anuluara.
Live Nation lajmëroi në mars krijimin e ‘Crew Nation’ me shumën fillestare $10 milion, për të ndihmuar rreth 1000 njerëz. Disa prej të cilëve ishin punësuar për të punuar në turin e BTS “Map of the Soul”.
“Nëse s’do të ishte për Covid-19, ne do të kishim filluar turin në shumë vende të botës me ekipin tonë të koncerteve live,”- tha grupi korean në deklaratën e dhënë. “Ne jemi të vetëdijshëm që shumë komunitete kanë nevojë për ndihmë pas situatës së Covid-19 dhe donim të mbështetnim njerëzit që punojnë në industrinë e muzikës me këtë kontribut. Shpresojmë të takohemi në skenë së shpejti.”
Ky është donacion i dytë që BTS bën pas $1 milion të dhuruar për kauzën #BlackLivesMatter.
Burimi: CNN