Mjeshtri i valles popullore shqiptare, Besim Zekthi, është ndarë nga jeta në moshën 84-vjeçare. Ai humbi betejën pas një sëmundjeje të rëndë në banesën e tij në Tiranë. Lajmi është bërë i ditur nga Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor.
Zekthi, një nga emrat më të shquar të valles popullore spikati që prej fillimit për talentin e tij dhe shprehjen e traditës së folklorit shqiptar përmes lëvizjeve të trupit.
Solist i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore, shkëlqeu veçanërisht në vallet e njohura “Vallja e shqipeve” dhe “Festë ka sot Shqipëria” dhe ishte ndër protagonistët kryesorë që i dha Gjerdanin e Artë vendit tonë në festivalin e Dijon-it në Francën e viteve 1970.
Gjatë gjithë karrierës së tij shumë vjeçare, Zekthi është nderuar me çmime pafund, duke e motivuar në marrjen e iniciativës për vazhdimin e kësaj tradite që fatkeqësisht vitet e fundit s'i kushtohet më vëmendja e dikurshme. Në vitin 2008, Besim Zekthi krijoi një aktivitet ku dominoi krijmtaria e tij koreografike, përfshi këtu ekzekutimin e të gjitha valleve që i dhanë famë dhe vlerësim përtej kufijve.