Shqipëria

Reagojnë Dëshmitarët e Jehovait: ‘Familja Josifi s’ka qenë kurrë pjesë e jona’

Shkruar nga Anabel

3 Korrik 2020

Reagojnë Dëshmitarët e Jehovait: ‘Familja Josifi s’ka

Pas ngjarjes së rëndë në Kombinat, Tiranë, ku nënë e bijë ndërruan jetë sepse refuzuan të ushqeheshin – të cilat në media u cilësuan si besimtare të Jehovait – Dëshmitarët e Jehovait reaguan përmes një deklarate zyrtare për mediat.

Në deklaratën e firmosur nga zëdhënësi për mediat, Arben Lubonja, shkruhet:

“Jemi shumë të tronditur nga lajmi i bërë publik dje nga mediat shqiptare për humbjet e jetës në familjen Josifi. Lajmi na hidhëron dhe u shprehim ngushëllimet tona familjarëve që kanë humbur njerëzit e tyre të afërm.

Në të njëjtën kohë, është tejet shqetësues informacioni i përhapur se pjesëtarët e kësaj familjeje besonin se i përkitnin Organizatës Dëshmitarët e Jehovait në Shqipëri. Po informojmë mediat dhe publikun e gjerë që po ndjek zhvillimin e këtyre ngjarjeje, se pjesëtarët e familjes Josifi jo vetëm që nuk kanë qenë pjesëtarë të organizatës sonë, por as nuk janë shoqëruar ndonjëherë me Dëshmitarët e Jehovait.”

Në vijim të deklaratës theksohet se “përpjekjet për të lidhur këtë ngjarje, apo çdo element tjetër të saj me besimin e Dëshmitarëve të Jehovait është krejtësisht e pabazë dhe madje fyese”.

Sipas raportimit të mediave, bashkëshorti i Zhaneta Josifit – e cila ndërroi jetë së bashku me vajzën, Anisa – ishte predikues i sektit të Jehovait dhe kishte themeluar edhe një bashkësi në Përmet. Ai ka ndërruar jetë pesë vite më parë. Sipas të dhënave paraprake, nëna dhe vajzat refuzuan të ushqeheshin sepse besonin te ringjallja.

Reagojnë Dëshmitarët e Jehovait: ‘Familja Josifi s’ka
Deklarata e publikuar nga media si ABC News, Gazeta Tema, Opinion.al, Top Channel etj.