Besojeni ose jo, por Kanye West deklaroi në Twitter kandidaturën e tij për t’u bërë presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Tani duhet të realizojmë premtimin e Amerikës duke i besuar Zotit, duke unifikuar vizionin dhe duke ndërtuar të ardhmen tonë,” shkroi ai. “Unë do të kandidoj për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.”
Postimi i Kanye-s u shoqërua me hashtagun #2020VISION. Duke marrë parasysh që zgjedhjet e ardhshme të SHBA-së janë më 3 nëntor, shpallja e kandidaturës katër muaj para është e paqartë nëse është shaka apo Kanye e ka seriozisht. Po kështu afati zyrtar për të shpallur kandidaturën e pavarur ka përfunduar në disa shtete.
Nuk është hera e parë që reperi flet për dëshirën për t’u bërë president i SHBA-së. Në janar të vitit të kaluar postoi “2024” në Twitter, postim që u interpretua si një shenjë se do të kandidojë për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024.
Dëshira për t’u bërë president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është kaq e madhe, sa West po kandidon kundër politikanit të tij të preferuar, Donald Trump. Ju kujtojmë se Kanye prej kohësh ka qenë një mbështetës i Trump, gjë që është kritikuar nga një pjesë e fansave të tij.
Deri tani, reperi ka siguruar një votë: Elon Musk. “Ke mbështetjen time,” shkroi CEO i SpaceX.
Pikërisht atëherë kur mendonim se viti 2020 nuk mund të ishte më i çuditshëm...