Shqipëria

'Kulla e Rojës’ dhe ç’lidhje ka me familjen Josifi: Të tjerë njerëz mund të akuzohen për vrasje

Shkruar nga Anabel

5 Korrik 2020

'Kulla e Rojës’ dhe ç’lidhje ka me familjen Josifi:15

Tv Klan raporton se “Guard Tower ose ‘Kulla e Rojës’ dyshohet se ka rekrutuar familjen Josifi nga Përmeti që çoi në vetëflijimin e Zhaneta Josifit dhe njërës prej vajzave”. Po në të njëjtin artikull, thuhet: Burime nga Prokuroria bëjnë me dije se gjithë familja është rekrutuar nga ky sekt rreth 6 vite më parë në Tiranë. Pas vetëvrasjes së kryefamiljarit, Lluka Josifi, Zhanetës dhe dy vajzave u është dhënë ndihmë financiare nga ky sekt duke bërë që të krijonin marrëdhënie të ngushtë me to.

Sipas Tv Klan, “dyshohet se ky sekt mund të kenë predikuar dhe aplikuar metoda ekstreme, duke çuar në vetëflijimin e Zhaneta dhe Anisa Josifit”.

Nga verifikimet e Anabel.al, rezulton se “Kulla e Rojës” nuk është sekt fetar, por është literatura përmes të cilës Dëshmitarët e Jehovait shpërndajnë besimet e tyre. “Kulla e Rojës” dhe “Zgjohu!” janë revista të cilat shpërndahen nga Dëshmitarët e Jehovait derë më derë dhe prodhohen çdo muaj, si revistat e zakonshme. Emri në anglisht nuk është “Guard Tower”, por “The Watchtower”.

Nga sa mund të kuptohet deri tani, revistat janë gjetur në shtëpinë e familjes Josifi. Dëshmitarët e Jehovait mohuan anëtarësimin e nënës dhe vajzave të familjes. Nga ana tjetër, një familjar i tyre deklaroi për Top Channel se vajzat kishin rënë në kontakt me një grup fetar nga Hollanda që vepronte në Përmet. Deri në këto momente, është ende e paqartë se për cilin grup bëhet fjalë.

Pikëpyetje ngrihen edhe në lidhje me ndihmën finaciare që pretendohet se ky grup njerëzish u ka dhënë familjes Josifi, pasi në një intervistë për News24, vëllai i Zhanetës, nënës që u gjet e pajetë si pasojë e refuzimit për të marrë ushqim, familjes Josifi nuk i mungonin paratë.

Ndërkohë Tv Klan raporton se po hetohen personat që kanë hyrë në banesën e familjes këto muajt e fundit, pasi mendohet se kanë ndjekur “ritualin për ringjalljen” e Anisa Josifit. Policia dhe Prokuroria presin dëshminë e Blerta Josifit, vajzës së vetme të mbijetuar, dhe nëse vërtetohet se persona të tjerë kanë qenë në dijeni për ngjarjen, atëherë mbi ta mund të ngrihet akuza për vrasje. Mbi Blertën mund të rëndojë akuza e moskallëzimit të krimit.