
Artikulli në vijim i referohet një qëndrimi të mbajtur në profilin e tij në Facebook të mjekut psikiatër Gentian Çala. Nga të dhënat e profilit të tij në LinkedIn, Çala shërben si psikiatër në Spitalin e Përgjithshëm në Pogradec, institucion që e drejton që prej vitit 2013. Çala ka qenë disa herë i ftuar nëpër studio televizive për të komentuar mbi problematikat e shëndetit mendor.
Analiza e tij mban emrin “Rasti i vetëflijimit, disa konsiderata” dhe e gjeni në vijim:
“Duke mbledhur të dhënat nga media, lidhur me rastin e familjes Josifi, kupton se kemi të bëjmë me rastin e një sëmundje psiqike që quhet “Çrregullim Deluzional i Induktuar” (“Shared Delusional Disorder” në anglisht ose “Folie en famille” në frengjisht). Mesa duket kemi pasur një besim patologjik i cili është përcjellë nga njëri prej anëtarëve te të tjerët, me gjasë nëna duhet të ketë qenë primare dhe të ketë ndikuar te vajzat, por nuk përjashtohet mundësia që kjo t’i ketë ndodhur njërës prej vajzave dhe të jetë induktuar te nëna dhe motra. Ky është një çrregullim që ndodh më shpesh te gjinia femërore. “Të pushtuara” nga besimi deluzional ato ndërmorën aktin e vetëflijimit, i cili rezultoi fatal për njërën nga vajzat dhe nënën.
Për nga ngjashmëria, mund të përmend rastin e vdekjes së familjes Burari në New Delhi, Indi, ku 11 anëtarë të saj (7 femra dhe 4 meshkuj) kryen vetëvrasje ritualistike në vitin 2018. Pas hetimeve nga policia u zbulua që kjo kishte ndodhur pas vdekjes së kryefamiljarit, ku anëtari më i ri e kishte kaluar më me vështirësi humbjen. Ai e shihte shpesh në ëndrra të atin dhe ndihej i “pushtuar” prej tij. Madje në shënimet e lëna shkruante se ai mund ta shihte dhe ta dëgjonte atë. Familja ishte përfshirë në rituale okulte prej shumë viteve dhe në përpjekie për të takuar babain e vdekur kishin shkuar drejt vetëflijimit në masë.”
Shënim.red. Anabel.al ka verifikuar vërtetësinë e paragrafit më sipër dhe rezulton se Familja Chundawat, nga Burari, Indi, ishte një familje e përbërë nga 11 anëtarë, 10 prej të cilëve u gjetën të varur, ndërkohë që gjyshja e familjes ishte mbytur. Trupat u gjetën në korrik të 2018-s dhe policia vendosi si arsye të tragjedisë “vetëvrasjen në masë për shkak të psikozës së përbashkët”. Psikologët përcaktuan se shkak i vdekjes së tyre ishte “çrregullimi i përbashkët psikotik” (shared psychotic disorder).
“Rasti i familjes Josifi paraqiste disa vështirësi për t’u parandaluar. Së pari, prekja e të tre anëtarëve të familjes e bënte të pamundur kërkimin e ndihmës nga brenda familjes, ashtu siç ndodh rëndom kur na sëmuret një anëtar i familjes, i cili nuk është në gjendje që të kuptojë sëmundjen dhe këtë gjë e bëjnë anëtarët e familjes që janë të shëndetshëm. Izolimi i familjes jo vetëm që rëndoi gjendjen e tyre mendore, por edhe pamundësoi observimin e situatës nga persona të afërm. Këtu ndikon edhe një farë indiference apo zbehja e raporteve komunitare, nga të afërmit, fqinjët, miqësitë. Formalizimi apo raportet e dobëta sociale janë kostoja e modernizimit apo e individualizimit të shoqërisë sonë.
A ka luajtur rol frenkuentimi i sekteve fetare në çrregullimin e tyre dhe në aktin e vetëflijimit?
Mendoj se bota është e mbushur përplot besimtarë, njerëzit janë të lirë të besojnë atë që duan, ashtu siç ka edhe sharlatanë e mashtrues. Besimet duhet të tregojnë kujdes që të përcjellin mesazhet e duhura dhe qartazi, pa nënkuptime. Ata duhet të theksojnë se vlera e jetës nuk mund të këmbehet më asgjë. Besimet e kanë për detyrë kujdesin ndaj besimtarëve apo kërkimin e ndihmës në rastet kur vihet re një gjë e pazakontë. Besimtarët gjithashtu duhet të raportojnë për parregullsitë që venë re në komunitet e tyre. Shteti duhet të ketë kontroll mbi keqpërdorimet apo sharlatanët. Të kërkosh t’i vesh fajin për një dramë të caktuar një institucioni apo një doktrine fetare, më duket gjeneralizuese dhe aspak reale.
Ky rast fatkeq duhet të na mësojë se akte të tilla mund të ndodhin në të ardhmen. Këta njerëz nuk i vret vetëm sëmundja, por edhe indiferenca jonë qytetare apo institucionale. Në përvojën time prej dy dekadash në Psikiatri kam pasur rastin të shoh dy raste me “Folie a deux” (Çrregullim deluzional i induktuar), ku është arritur që të jepet ndihma. Shpresojmë që ngjarje të tilla të mund t’i parandalojmë, atëherë mund të them se kemi bërë atë që duhet.”
Anabel.al i është drejtuar për komente mbi rastin në fjalë disa specialistëve të tjerë në fushën e psikiatrisë dhe ky artikull do të përditësohet dhe/ose pasohet nga të tjerë në vijim në rast se ekspertët e shëndetit mendor, të kontaktuar prej redaksisë, kanë të tjera mendime për rastin e familjes Josifi dhe nuk e lidhin situatën e tyre me çrregullimin deluzional të induktuar.