Shqipëria

Covid-19, Manastirliu: 'Si po përgatitemi për vjeshtën'

Shkruar nga Anabel

9 Korrik 2020

Covid-19, Manastirliu: 'Si po përgatitemi për vjeshtën'

E ftuar në Abc News, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu foli rreth gjendjes së Covid-19 në vendin tonë, për masat parandaluese si dhe për përgatitjen e sezonit të vjeshtës, ku krahas pandemisë, qarkullojnë dhe viruset e stinës.

Manastirliu tha se po punohet për fuqizimin në pajisje dhe autoambulanca për spitalet rajonale si dhe Urgjencën Kombëtare.

“Ajo që dihet me siguri është se ky virus është i paparashikueshëm. Ne jemi duke punuar fort për kapacitete ne spitalet rajonale. Do duhet që rastet që janë me sëmundje të tjera të trajtohen aty, vijon fuqizimi i tyre dhe fuqizimi me pajisje. Brenda gjithë buxhetit. Duam të fuqizojmë urgjencën kombëtare me autoambulanca të reja që të kemi një administrim më efikas në terren dhe për të përmirësuar flotën e aparaturave."

Edhe për vetë ekspertët është ende e paqartë nëse gjatë vjeshtës Covid-19 do të jetë ose jo më shumë agresiv.

Përsa i përket hapjes së kufijve, ministrja tha se do të bëhet një tjetër rivlerësim në kohën e duhur, ndërkohë që dhe për dy javët e ardhshme nuk ka asnjë ndryshim në vendimet e marra.

“Ka një ecuri të epidemisë edhe aty ku u pa se kishte një rënie. Do të ketë një rivlerësim dhe më pas ky rivlerësim do të ketë një vendimmarrje në kohën e duhur. Pa kaluar dy javë, nuk do të kemi një ndryshim në vendimmarrje. Po shihet që ka një evolim të epidemisë. Edhe pse sot e kemi situatën të kontrolluar.”