Health News

Përlotet kreu i OBSH-së: ‘Rreziku më i madh nuk është virusi’

Shkruar nga Anabel

10 Korrik 2020

Përlotet kreu i OBSH-së: ‘Rreziku më i madh nuk
Tedros Adhanom Ghebreyesus (m) dhe Donald Trump (d)

Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka dënuar “mungesën e udhëheqjes” kundër pandemisë së koronavirusit gjatë një konference të mbajtur së fundmi, teksa vazhdojnë të raportohen rritje të vazhdueshme të infektimeve me Covid-19.

“Miqtë e mi, mos bëni gabim: Kërcënimi më i madh me të cilin po përballemi nuk është vetë virusi,” tha Tedros Adhanom Ghebreyesus në një fjalim të mbajtur në Gjenevë. “Përkundrazi, është mungesa e udhëheqjes dhe e solidaritetit në nivel global dhe kombëtar.”

Fjalia e tij u pa si një kundërpërgjigje ndaj presidentit Donald Trump, i cili ka zhvilluar një betejë publike kundër OBSH-së.

“Kjo është një tragjedi që po na detyron të humbasim miqtë tanë, të humbasim kaq shumë jetë. Nuk mund ta mposhtim këtë pandemi nëse qëndrojmë të ndarë,” tha ai teksa zëri i dridhej dhe u pa i përlotur.

Fjalimi i tij vjen disa ditë pasi administrata e Donald Trump tha në Kongresin e Kombeve të Bashkuara që SHBA do të tërhiqet zyrtarisht nga OBSH, që nënkupton se nuk do të financojë më organizatën (SHBA kontribuonte rreth 10-15% në buxhetin e përgjithshëm të organizatës). Sipas Trump, OBSH u përqëndrua vetëm te rastet në Kinë dhe nuk e paralajmëroi botën për një pandemi. Kandidati për president të ardhshëm të SHBA-së, Joe Biden, u zotua të ndryshojë vendimin nëse shpallet fitues.

Pavarësisht largimit të SHBA-së, shtetet e tjera nuk janë tërhequr, por kanë deklaruar se do të mbështesin OBSH-në.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) është një organ shëndetësor që u themelua nga Kombet e Bashkuara në vitin 1948, pas Luftës së Dytë Botërore, për të promovuar shëndetin global dhe për të mbrojtur njerëzit nga sëmundjet infektive. Në terma praktikë, OBSH vepron si një organ i rëndësishëm për hulumtime, të dhëna, rekomandime teknike për kërcënimet nga sëmundjet e ndryshme, si për shembull koronaviruset dhe Ebola. Ajo gjithashtu mbështet zhdukjen e sëmundjeve ekzistuese, si malarja. 

Burimet: CNN, Deutsche Welle