Mama VIP

Pse nënat e reja ndryshojnë flokët pas lindjes

Shkruar nga Anabel

10 Korrik 2020

Pse nënat e reja ndryshojnë flokët pas lindjes

"Era e ndryshimit" shkroi Jonida Vokshi në Instagram, ku shfaqet me një ngjyrë të re flokësh, ndryshe nga ngjyra kafe-gështenjë me të cilën jemi mësuar ta shohim më shpesh, përpara se të sillte në jetë Emin. Nuk është hera e parë që nënat e reja ndryshojnë ngjyrën ose modelin e flokëve pas lindjes. Të njëjtën gjë bëri edhe Xhensila pas ardhjes në jetë të Ajkës duke i prerë flokët e gjatë në gjatësi mesatare.

Pse nënat e reja ndryshojnë flokët pas lindjes

Kujtojmë këtu edhe Kim Kardashian, që shkoi nga flokët gështenjë në bjondë të mirëfilltë pas ardhjes në jetë të North. Beyonce gjithashtu i preu kur lindi Blue Ivy. Charlize Theron i qethi për një rol dhe i mbajti të shkurtra fare pasi birësoi djalin.

Sipas ekspertëve, shumë gra ndryshojnë drastikisht flokët pas lindjes, për të rimarrë nën kontroll trupat, jetët dhe mënyrën si ndihen.

Shumë gra janë të lumtura që nuk janë më shtatzënë, që mund t’i rikthehen palestrës, të ushqyerit për një person në vend të dy. Ndoshta ndihen gati për një ndryshim, ndoshta diçka që i bën të ndihen të dëshirueshme sërish. Një prerje më e shkurtër se zakonisht jep efektin e dëshiruar, baluket dhe një ndryshim i ngjyrës po ashtu.

Pas lindjes, jeta e një gruaje ndryshon tërësisht. Foshnjet qajnë, duhen ushqyer çdo dy orë, zgjohen në mes të natës – disa herë – bëjnë pis çdo gjë që prekin, etj. etj. Jeta del jashtë kontrollit për disa vite. Në këtë skenar, disa nëna të reja presin flokët për t’u ndjerë sikur kanë diçka nën kontroll, ose për arsyen e kundërt; për të pasur flokë më të menaxhueshëm, sepse s’kanë kohë dhe as durim të merren me to. Të dyja arsye shumë të vlefshme.

Dhe së fundi, gjatë shtatzënisë, flokët janë më të dendur, të shkëlqyeshëm dhe rriten si kurrë më parë. Ngaqë çlirohet shumë estrogjen, flokët e grave shtatzëna forcohen dhe rriten. Kjo fazë quhet anafazë. Pas lindjes, nis telefaza, ku 60% e flokëve bien. Shumicës së grave u bien flokët pas lindjes, proces që merr fund për 3-9 muaj. Sidoqoftë, disa prej tyre nuk durojnë dhe thjesht i presin për t’i dhënë mundësinë të rigjenerohen.

Cilado qoftë arsyeja pas ndryshimit të flokëve pas lindjes, rëndësi ka të ndiheni mirë. Përveçse magjike, mëmësia është e lodhshme, e rrëmujshme dhe e përjetshme. Bëni ç’të mundeni që t’i lehtësoni punë vetes.

-Artikull i përditësuar, publikuar për herë të parë në nëntor të vitit 2018.